Koncerti “Zërat e së ardhmes” u zhvillua me një repertor të larmishëm muzikor, të interpretuar nga orkestra “Ibrahim Madhi”. Artistë e këngëtarë të njohur të skenës shqiptare, si dhe të rinj të talentuar ishin pjesë e këtij koncerti, që u zhvillua një natë më parë. Orkestra nën drejtimin e prof. Isak Shehut, merrnin pjesë tenori Josif Gjipali, Ardita Meni, Kastriot Tusha “Mjeshtër i Madh”, Manjola Nallbani “Mjeshtre e Madhe”, violinisti Zeqir Sulkuqi, etj. Koncertmastër Ardita Bufaj, një nga pianistet e vlerësuara të skenës shqiptare gjithashtu ishte pjesë e këtij koncerti, që u zhvillua te qendra kulturore-kompleksi i katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti përmbante një program të pasur muzikor, për të cilin më herët para zhvillimit të tij pianistja Ardita Bufaj tha se pjesë e tij janë edhe artistët e rinj. “Repertori i këtij koncerti është i gërshetuar mes kompozitorëve të mëdhenj të muzikës operistike dhe kompozitorëve shqiptarë, ku do të interpretohen nga artistët më të njohur lirikë dhe këngëtarë të rinj të talentuar, të cilët janë studentë përkatës të artistëve të mëdhenj shqiptarë”, tha pianistja Bufaj. Koncerti bëri bashkë artistë të njohur të skenës shqiptare por dhe të rinj, duke u bërë edhe pjesë e jetës artistike të kryeqytetit. Para koncertit, pianistja Ardita Bufaj u shpreh se ishte interesante dhe një duo violinistësh. “Një gërshetim i bukur është se koncerti hapet nga tre instrumentistë të talentuar, studentë të Fakultetit të Muzikës me një pjesë virtuoze dhe gjithashtu, kemi një duo interesante violinistësh, të cilët interpretojnë vals Shostakovich për duo- dhe harqe të përpunuar nga prof. Isak Shehu”, tha ajo.
Programi muzikor
Pjesa tjetër e programit të koncertit “Zërat e së ardhmes” përmbante ariet më të njohura të repertorit operistik, që erdhën të interpretuara me një teknikë të lartë vokale nga studentë, të cilët janë shumë premtues për të ardhmen e artit shqiptar. Në koncertin që u zhvillua më parë, artdashësit dëgjuan: Lippen Shëaegen- F. Lehar nga një duo, soprano Sara Arapi dhe Matias Xheli, Le fille de Cadix nga soprano Anita Kerhani, etj. Dy emrat e mëdhenj, tenorët Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha me krijime të njohura shqiptare dhe të huaja, por me krijimtari të autorëve të huaj edhe mezzo- soprano Manjola Nallbani dhe soprano Ardita Meni. Orkestra “Ibrahim Madhi” zhvilloi këtë koncert në vijim të veprimtarisë së saj artistike. Orkestra mban emrin e Ibrahim Madhit, që është një ndër figurat më të rëndësishme të muzikës dhe artit të interpretimit shqiptar. I njohur për formimin dhe muzikalitetin e tij madhështor, muzikanti i shquar ka dhënë një kontribut të çmuar në formatimin e shkollës kombëtare të interpretimit muzikor. Për meritat dhe kontributin e tij të veçantë, ai gëzoi titullin më të lartë të artit në Shqipëri “Artist i Popullit”. Emri i tij lidhet jo vetëm me të qenurit një solist brilant, por në të njëjtën kohë edhe një drejtues i përkryer i grupeve të muzikës së dhomës dhe orkestrës së harqeve.









































