“Fli” titullohet vepra teatrore, që shënon këtë mbrëmje premierën në skenën e teatrit Metropol. Një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, sjellë në skenë me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca. Kjo vepër është një nga më të njohura të Euripidit që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetëmohim në skenat kryesore të tragjedisë. A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja për karrierën personale?!A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “Fli”, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore. Regjisori Enton Kaca shprehet se drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve, që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. “Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë”, shpjegon rreth veprës regjisori Enton Kaca.
Ngjarjet e veprës
Rolet në vepër interpretohen nga Amri Hasanlliu, Bujar Hoxhaj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Ismail Shino, Klodjana Keco, Lindar Kaja, Margent Caushi, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sedmir Memia, Stivi Osmanaj, Vanesa Guri, Xhino Musollari, etj. Ushtria greke është mbledhur në portin e Aulidës. Por nisja për luftë vonon në mënyrë të pashpjegueshme. Agamemnoni, komandant i kësaj ushtrie mëson që nisja do të bëhet e mundur vetëm nëse vajza e tij, Ifigjenia, flijohet. Agamemnoni ndërton një skemë që ta bindë gruan ta dërgojë vajzën dhe ndërsa pret ndërron mendje. Ifigjenia vjen në kamp, dhe plani i Agamemnonit zbulohet. Ushtria greke krijon presion dhe në fund Agamemnoni dorëzohet. Ifigjenia kur shikon se nuk ka asnjë shpresë merr vendimin për të shkuar drejt altarit për tu bërë fli. As. regjisor Edvin Mustafa, kori Ketjona Pecnikaj dhe Parashqevi Hallkaj; kostumet Sofi Kara. Vepra vjen këtë mbrëmje në skenë, por do të vijojë edhe në datat 29, 30 prill, si dhe 1, 11, 12, 13, 14, 15 maj. Euripidi i përkiste kategorisë së shkrimtarëve cilësorë. Çdo gjë që shkruante kishte një arsye të veçantë. Nuk ishte nga njerëzit që “digjej” për njohje, donte që gjithçka të arrihej në kohën e duhur dhe të përcillte mesazhe përmes veprave të tij. Veprat e Euripidit karakterizohen nga format komplekse, lirshmëria në përdorimin e temave mitologjike dhe idetë e pasura muzikore. Euripidi krijoi një formë të re teatri, ku rol vendimtar luajtën kontradiktat e dëshirave njerëzore dhe hyjnore.









































