Google search engine
Home Sport Një fazë kampionati pa fitore, Vllaznia ka shansin ndaj Skënderbeut të thyejë...

Një fazë kampionati pa fitore, Vllaznia ka shansin ndaj Skënderbeut të thyejë tersin e barazimeve

0
172

Vllaznia është një prej skuadrave që e nisi sezonin me shumë bujë, si një nga pretendentet kryesore për titull, por që në fund të fazës së parë u pa qartë se shkodranëve diçka u mungonte dhe nuk ishin të aftë të rivalizonin me Tiranën në kryesim, ku bardheblutë kryeqytetas shpejt kapën kreun dhe mbajtën ritmin e duhur në kryesim, duke qenë sot vetëm matematikisht larg titullit kampion. Pra Vllaznia zhgënjeu, sepse pritshmëritë i kishte të mëdha, por në fushë rezultatet nuk kanë qenë të pritshmet, madje ka aq shumë barazime të marra gjatë sezonit sa Vllaznia duket se po thyen rekorde të njëpasnjëshme në këtë drejtim. E ndodhur në vend të pestë të kampionatit, Vllaznia do të tentojë të paktën t’i afrohet vendit të tretë, që të ketë një shans për Europën nga kampionati, gjithmonë nëse zhgënjen në finalen e Kupës së Shqipërisë që do ta luajë përballë Laçit. Pra, situata duket pozitive në kupë por jo në kampionat dhe në Shkodër po kërkojnë të mbyllin sezonin me dinjitet. Shansi për të bërë kthesë duket se do të jetë ndeshja e radhës me Skënderbeun dhe kur kanë mbetur edhe 6 xhiro deri në fund, Vllaznia ka momentin të lërë pas rezultatet zhgënjyese.

Statistikat e rënduara të Vllaznisë

Shtatë ndeshje pa fitore, me suksesin e fundit ne fillimin e muajit mars, Vllaznia dhe Plori do të kërkojnë fitoren e parë në kampionat në këtë fundjavë përballë skuadrës që renditet në vendin e fundit, Skënderbeut. Në “Loro Boriçi”, shkodranët nisen me misionin e vetëm, fitoren, ndaj një kundërshtari që pothuajse është i dorëzuar në këtë pikë të sezonit. Ecuria e gjatë pa fitore e ka zanafillën nga barazimi pa gola me Kukësi-n, kohë kur skuadra drejtohej nga gjermani Thomas Bërdariç. Trajneri aktual, Elvis Plori ende nuk ka shijuar suksesin e parë në kampionat, pas zyrtarizimit të tij në stol, teksa numëron 5 ndeshje, me tre barazime dhe dy humbje, ecuri e cila ka ndikuar edhe në renditje, pasi Vllaznia është forcë e pestë në kampionat. Në total, Plori deri më tani ka drejtuar skuadrën në 7 takime, përfshirë këtu edhe dy sfidat e fazës gjysmëfinale në Kupë ndaj Partizanit dhe të vetmin sukses e ka arritur ndaj kryeqytetasve që solli edhe kualifikimin në finale. Gjithsesi, një sukses i tillë, pavarësisht rëndësisë dhe përmasave nuk është i mjaftueshëm për shkodranët dhe Plorin, që tani janë “të dënuar” për të bërë kthesën edhe në “Abissnet Superiore”. Kalendari është në favorin e Vllaznisë, pas dere qëndron Skënderbeu dhe Dinamo, dy skuadrat që mbyllin klasifikimin dhe shkodranët mund t’u japin goditjen e fundit. Skuadra e Plorit do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum kalendarin për të ngjitur shkallë në klasifikim, pasi Partizani, në letër ka një kalendar më të vështirë (Partizani-Dinamo, Kukësi-Partizani). Java e 31-të mund të jetë edhe përcaktuese për fatet e korçarëve, të cilët nëse dalin pa pikë nga Shkodra dhe Egnatia fiton ndaj Kastriotit, atëherë Skënderbeu është matematikisht në Kategorinë e Parë. Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse Vllaznia do të jetë në gjendje të bëjë bashkë dy fitore radhazi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here