Pas duelit spektakolar Mançester Siti-Real Madrid, mbyllur me shifrat 4-3 për anglezët, Liga e Kampioneve vijoi mbrëmë me gjysmëfinalen tjetër, atë mes Liverpulit dhe Vilarealit, luajtur në stadiumin “Anfield” në Angli. Liverpuli zbriti në fushë me skemën taktike ofensive 4-3-3, kurse “nëndetësja” e verdhë spanjolle me skemën 4-4-2. Surpriza Vilareal ka ardhur deri në këtë fazë të Champions pikërisht falë skemës së tij efikase mbrojtëse dhe natyrisht mjeshtërive taktike të trajnerit Unaj Emeri. Pritej të ishte një ndeshje e vështirë, nisur nga skema e lojës që aplikon skuadra spanjolle dhe pavarësisht dominimit të Liverpulit, anglezët hasën në vështirësi në konkretizimin e aksioneve të tyre. Dominimi i Liverpulit në pjesën e parë ishte absolut, me 63% të kontrollit të topit, me 15 raste të ndërtuara për gol, me 8 goditje jashtë kuadratit e 4 goditje në kuadrat, por sfera nuk ishte e thënë të hynte brenda në rrjetë. Madje Liverpuli ndërtoi pasime 3 herë më shumë se rivali në fushë, por as kjo nuk mjaftoi, pasi në futboll vlen rezultati dhe vetëm ai. Pjesa e parë mbyllet kështu 0-0. Në pjesën e dytë trajneri Jurgen Klop përpiqet të ndryshojë disi strategji, pasi sulmi, edhe pse potent, nxitohej dhe nuk po përmbushte objektivin e skuadrës. Kalimi i minutave sillte tension, prandaj Liverpulit i duhej me patjetër të gjente rrugën e rrjetës. Dhe goli do të vinte në minutën e 53-të, shënuar nga një mesfushor, Henderson, që i bën vetë si duhet detyrat, duke finalizuar dhe duke kaluar në epërsi ekipin anglez. Në fakt, në ritransmetim u pa qartë se ishte një autogol nga Estupian. Shënimi i golit i dha lehtësi skuadrës së Jurgen Klop, ndërkohë që Vilareali, i gjendur nën trysni gaboi sërish me rinisjen e lojës. Në sulm Salah asiston bukur për Sadio Manen brenda zonës dhe afrikani shënon golin e dytë në minutën e 55-të me një goditje të saktë tokazi në krahun e majtë të portës. Robertson shënoi një tjetër gol për Liverpulin në të 63’, por ai anulohet nga gjyqtari për pozicion jashtë loje. Pas këtij momenti loja stabilizohet, pasi Vilareali, duke mos qenë efektiv në fazën sulmuese, u detyrua të rreshtohej mbrapa për të mos pësuar gola të tjerë. Si përfundim, mbyllet 2-0 për Liverpulin, që hedh kështu një hap të madh drejt finales. Dueli i kthimit gjysmëfinal do të luhet më 3 maj, kurse gjysmëfinalja tjetër, Real-Mançester Siti do të luhet në Madrid më 4 maj.









































