Kombëtarja do të nisë në muajin qershor eliminatoret për Ligën e Kombeve, ku ka synim të zero vendin e parë në grup, nisur dhe nga fakti se Rusia, që është në short në grupin e kuqezinjve, është pezulluar nga UEFA e FIFA, pra nuk do të mund të zhvillojë ndeshje, kështu që kuqezinjve u del detyrë të mundin izraelin dhe Islandën, dy rivalë që janë pak a shumë në një nivel me tanët. Ndërkohë, ambiciet e mëdha të përfaqësueses dhe të trajnerit Edi Reja, janë për kualifikueset e Euro-2024 dhe trajneri, në kuadër të këtij objektivi madhor, ka nisur një proces rinimi të grupit, duke u fokusuar tek elementët e rinj. Dhe ka gjetur disa të tillë që i ka ftuar dhe angazhuar në Kombëtare, pro deri tani vetëm Armando Broja ka mundur të bëjë diferencën. Në fakt, ambiciet e Rejës janë që në sulm të ketë një treshe të talentuar me Brojën e Vrionin në majën e ofensivë dhe pas tyre Asllani që është i Empolit. Të tre këta lojtarë po rriten dhe po kalojnë momente magjike me skuadrat e tyre. Trajneri Edi Reja, ndërkohë, po i reklamon lojtarët tek klubet elitare në Itali dhe jashtë Italisë, për t’u dhënë mundësinë atyre të shprehen në skuadra të mëdha dhe në top-liga europiane, pasi kështu rrisin potencialin e tyre edhe në ekipin përfaqësues.
Reja i vlerëson kuqezinjtë dhe i promovon në klubet italiane
Kristjan Asllani është një nga elementët e së ardhmes. Futbollisti 20-vjeçar luan titullar me Empolin dhe forma e tij ka magjepsur edhe vetë trajnerin kuqezi, Edi Reja. Italiani e pati Asllanin pjesë të grumbullimit të fundit me kuqezinjtë ndërsa e aktivizoi në miqësoret e muajit mars ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Përshtypjet ishin nga më pozitivet ndërsa tashmë Reja është duke bërë reklamë për Asllanin në Itali, ndërsa për mesfushorin kanë dalë në pah disa mundësi për t’u transferuar në klube gjigante si Interi apo Milani. I fundit në listë është Napoli, ndërsa Reja ka theksuar se nëse presidenti i të kaltërve do ta pyesë, atëherë do t’ia propozonte transferimin e Asllanit në stadiumin Maradona. “Asllani është një djalosh shumë interesant dhe i destinuar për të luajtur në klube të mëdha. Më ka bërë shumë përshtypje personaliteti që tregon, di të vendoset në mënyrë shumë inteligjente në fushë dhe punon mirë me të dyja këmbët. E ndërton lojën nga poshtë ashtu si Pirlo, megjithë respektin për krahasimin. Mund të luaj edhe në qendër të mesfushës por për këtë do t’i duhen këmbë më të forta. Ka shumë vizion, është i zoti me topat e gjata dhe di të spastrojë zonën para mbrojtjes. E gjen shumë mirë momentin për të vertikalizuar dhe për t’i dhënë shpejtësi aksionit me pasime filtruese dhe preçize. Difekte? Duhet të ketë më shumë muskuj, të bëhet më i shpejtë por po flasim për një 20-vjeçar që luan për herë të parë në Serinë A dhe me eksperiencën mësohen të gjitha. Napoli? Nëse Aurelio De Laurentis me të cilin kam një raport të shkëlqyer më pyet, atëherë unë do t’ia këshilloja Asllanin. Unë i besova me kombëtaren dhe ai debutoi ndaj Spanjës edhe pse është një lojtar që mund të luante për U-21. Mendimet e mia për Asllanin janë të shkëlqyera, mbi të gjitha sepse di të pozicionohet në fushë”, tha Reja pak ditë më parë për mediat italiane, duke lavdëruar kështu mesfushorin kuqezi, Kristjan Asllani.









































