Anglezët fituan me shifrat 4-3 duelin e parë gjysmëfinal në Ligën e Kampioneve ndaj madrilenëve, por gjithçka do të vendoset në duelin e kthimit
Mbrëmë u luajt gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampioneve midis Mançester Sitit dhe Realit të Madridit që dhuroi spektakël dhe plot 7 gola, fituar nga anglezët 4-3, por duke e lënë të hapur fartin e kualifikimit për në finale për duelin e kthimit në Madrid pas dy javësh. Pjesa e parë ishte me një start befasues për Mançester Sitin, i cili jo vetëm e gjeti shpejt golin e parë, por shënoi që në aksionin e parë sulmues, me Kevin de Bryjn që u tregua i saktë në goditjen e tij. Ky gol e zuri në panik Realin e Madridit, i cili u shthur në mbrojtje dhe në minutën e 11-të pësoi goditjen e dytë të rëndë, pasi “qytetarët” anglezë gjetën golin e dytë me anë të Jezus. Ky gol e shkundi fare ekipin madrilen, që nisi të stabilizohet pas minutës së 15-të dhe tentoi të bënte diçka në drejtim të sulmit. Një asistim i Mendi bëri që Benzema të dalë në pozicion të favorshëm e të shënojë golin për Realin, duke e ngushtuar rezultatin në 2-1 në minutën e 33-të. Pas shënimit të golit Reali e rriti dozën e lojës sulmuese, duke tentuar të barazojë shifrat, por nuk ia doli dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës angleze. Në pjesën e dytë Siti e nisi me vrull të madh, ku Mahrez fillimisht dhe Foden pas tij tentuan të shënonin golin e tretë, por u bllokuan në momentin e fundit nga mbrojtësit. Pikërisht ky i fundit, pas asistit të dhënë nga Fernandinjo, gjen golin e tretë për anglezët në minutën e 53-të. Por do të përgjigjej flakë për flakë Reali i Madridit, që shënon brenda dy minutash me anë të Viniciusit (55’), duke e lënë takimin të hapur deri në fund. Pas këtij moment loja stabilizohet dhe skuadrat tregohen më të kujdesshme në veprimet e tyre, duke mos lënë hapësira në mbrojtje. Ndërkohë, Siti i trajnerit Pep Guardiola e rriti volimin e lojës nëpërmjet sistemit të veçantë taktik, me pasime të shumta dhe kontroll të topit. Skema jep efekt në minutën e 74-t, kur Silva shfaqet përballë portës, fare pranë, dhe gjuan saktë duke tundur rrjetën. Në minutën e 81-të, Laporte i Sitit prek topin me dorë në mënyrë të dukshme dhe gjyqtari akordon penallti për Realin e Madridit. Nga pika e bardhë godet saktë Karim Benzema, që shënon golin e tretë për Realin, duke e ngushtuar sërish rezultatin në 4-3. Minutat e fundit bëhen emocionuese, pasi ka befasi në manovrat sulmuese e kundërsulmuese. Por rezultati nuk ndryshon dhe fitoi Mançester Siti me rezultatin 4-3. Ndërkohë, sot në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja tjetër, ajo mes Vilarealit e Liverpulit.









































