Lojtarët e Kombëtares po bëjnë përpjekje që të mbyllin një sezon cilësor, të mbushur me sukses dhe një pjesë e futbollistëve duhet të ndihen të kënaqur pasi kanë marrë shumë minuta në fushë këtë sezon, minuta në ekipe cilësore dhe në top-ligat europiane. Padyshim që vëmendjen kryesore e kanë marrë lojtarët që luajnë në Itali, pasi në kampionatin italian të Serisë A luajnë thuajse gjysma e titullarëve të përfaqësueses kuqezi dhe ka qenë vetë trajneri Edi Reja që e ka orientuar ekipin përfaqësues drejt këtij kampionati, nisur dhe nga njohjet që ka për këtë kampionat, mënyrën më të lehtë për të ndjekur futbollistët si dhe përshtatshmërinë e futbollit italian me futbollin tonë. Kur mbeten dhe pak javë nga fundi i sezonit, kanë nisur të bëhen llogaritë e para të performancës së shumë lojtarëve, por edhe të gatiten për lëvizjet në merkaton verore, pasi disa sinjale lëvizje të rëndësishme janë dhënë edhe për lojtarët e Kombëtares dhe fokusi i ditëve të fundit është tek lojtarët që janë pjesë e Empolit e konkretisht mesfushorët me tipare sulmuese Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani.
Oferta e Napolit dhe pozicioni i kuqezinjve
Merkato e verës po afron dhe vëmendja kryesore e Napolit është te mesfusha. Mediet italiane raportojnë se ndër emrat që po ndiqen nga klubi i Napolit janë Antonin Barak i Hellas Verona, autor I 10 golave dhe 4 asistimeve këtë sezon në 27 paraqitje. Krahas ishit të Udinezes, me vëmendje po ndiqen edhe Traore i Sasuolos dhe Asllani i Empolit. Shqiptar po kalon një sezon shumë të mirë, ndërsa pak kohë më parë u përfol edhe për një kalim të mundshëm te Milan. Megjithatë afrimi i një lojtari nga Napoli do të varet nga Fabian Ruiz, kontrata e të cilit me Napolin përfundon në 2023-shin. Klubi do të hidhej në merkato për të afruar një nga mesfushorët e sipërpërmendur, përfshirë këtu edhe 20-vjeçarin e kombëtares shqiptare, vetëm në rast se spanjolli do të zgjidhte largimin.
Kombëtarja
Nedim Bajrami ka qenë një nga zbulimet më të rëndësishme të trajnerit Edi Reja në Kombëtare. Ai e pikasi lojtarin kur erdhi të luante në Itali dhe e ftoi në ekipin përfaqësues, duke i bërë pasaportën. Në fakt, lojtarin e kërkonte edhe Zvicra me Kosovën, por Bajrami vendosi në momentin e fundit të luante për Shqipërinë dhe ka qenë një zgjedhje e mirë, pasi në eliminatoret e Botërorit të Katarit vitin e kaluar tregoi potencial të madh teknik, një lojtar që di të luajë mirë si në fazën shkatërrues ashtu dhe në fazën ndërtuese në sulm, madje me një efikasitet të madh në pasime dhe në zhdërvjelltësinë e hapjes së lojës. Bajrami pritet të jetë pikë referimi si organizator i mesfushës në ndeshjet e Ligës s Kombeve. Kurse sulmuesi i ri i talentuar Kristjan Asllani ka mundur të fitojë një vend në radhët e Empolit dhe ka bërë ndeshje të mira, por është ende i ri për të bërë gjëra të mëdha. Sidoqoftë, të luash titullar në disa ndeshje të rëndësishme në Serie A tregon pjekuri dhe natyrisht Asllani është lojtar i perspektivës në Kombëtare.









































