Google search engine
Home Sport Kukësi rrezikon Europën, Partizani i shqetësuar nga barazimet e shumta

Kukësi rrezikon Europën, Partizani i shqetësuar nga barazimet e shumta

0
219

Kukësi ka qenë i mobilizuar tek festimet për vënien në funksion të stadiumit të ri “Zeqir Ymeri”, një impiant modern dhe i mjaftueshëm për kuksianët, për më tepër i certifikuar të presë edhe ndeshje ndërkombëtare në nivelin paraeliminator. Por gjendja e skuadrës dhe loja e rezultatet e saj kanë sjellë shqetësim tek stafi gjatë javëve të fundit, e tani Kukësi rrezikon pjesëmarrjen në Europë sepse ka mungesa të rëndësishme për duelin e radhës në Durrës. Vetëm 1 fitore në 10 ndeshjet e fundit, është një statistikë që lëndon për formacionin e Diego Longos, që po vuan në pjesën finale të këtij edicioni që e kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani oreksi i ndjekësve në klasifikim është rritur ndjeshëm, me Partizanin, Vllazninë e madje dhe Kastriotin që në javët e mbetura mund të kërcënojnë dhe “verilindorëve” ju duhet të rikthehen sa më shpejt të 3 pikët për të mos kompromentuar sezonin. Fundjava e ardhshme i shikon të impenjuar në transfertën me Teutën, një sfidë që për teknikun italian Longo sjell dhimbje koke ekstra për sa i përket formacionit. Barazimi me Laçin në sfidën debutuese në shtëpinë e re ka pasur një bilanc të rëndë për Kukësin, kjo pasi janë ndëshkuar me kartonë të verdhë Bruno Lulaj, Shqipërim Taipi dhe Vitor Feiao, (12′, 31′, 53′) me të tre futbollistët që në këtë mënyrë kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të jenë në sfidën me Teutën. Një telash më shumë për trajnerin në një përballje të rëndësishme duke qenë se trajnerit i duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e Shkurtaj dhe Puntus që janë të dëmtuar, ndërkohë që edhe portieri Tafas e ka mbyllur prej disa javësh sezonin.

Partizani i shqetësuar nga barazimet e shumta

Partizani është një tjetër skuadër që po vuan dhe kjo lidhet me barazimet e shumta. Javët e fundit ka munguar goli dhe kjo i ka tensionuar jo pak “demat e kuq”. Partizani momentalisht pozicionohet në vendin e katërt, me 43 pikë, 3 pikë më pak se Kukësi dhe 1 më shumë se Vllaznia. Gjashtë javë nga fundi i sezonit, Partizani ka para një kalendar të vështirë, ku pas Dinamos, radha vijon me Kukësin, Tiranën apo edhe Laçin. Skuadra e Mehmetit në fundjavë regjistroi ndeshjen e dytë radhazi pa gol në kampionat. Në Shkodër, përballë Vllaznisë, kryeqytetasit krijuan raste, por shpërdoruan shumë duke treguar përsëri se në skuadër e vuajnë shumë finalizimin. Në këtë sezon “të kuqtë” kanë shënuar 37 gola, me një mesatare shënimi 1.2 gola për ndeshje, ndërsa në renditje, Partizani ka sulmin e katërt më të mirë, pas Tiranës, Laçit dhe Kukësit. Në javën e 31-të, Partizani do të presë Dinamon, në derbin e kryeqytetit, në një sfidë ku kërkohet kthesa, jo vetëm në rezultate, por edhe në gola. Gjithsesi, e kaluara nuk premton shumë, sepse në këtë sezon, Partizani dhe Dinamo janë takuar pesë herë, dy në kupë dhe tre herë në kampionat, me Partizanin që ka shënuar vetëm 4 gola, dy prej tyre në Kupë, ndërsa ka pësuar dy herë dhe në pesë takime, 3 prej tyre nuk kanë prodhuar fitues. Në dy ndeshjet e fundit vetëm dy barazime pa gola. Pra,Partizani është skuadra e dytë me më shumë barazime, 13 të tilla, dy më pak se Vllaznia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here