Ekspozita personale e skulptorit Qazim Kërtusha në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve, është një rikthim i tij pas 50 vitesh aty ku ka filluar me artet. Kuruar nga prof. Sadik Spahija ekspozita përmban 70 punime në skulpturë dhe vizatime. Me një aktivitet artistik, ku veprat e tij në skulpturë janë brenda dhe jashtë vendit tonë, skulptori këto ditë prezantohet në galerinë FAB të Fakultetit të Arteve të Bukura, me një ekspozitë personale që përmban punime që nisin nga viti 1972 e deri në kohët sot. Skulptori tregon se në aktivitetin e tij artistik nuk bën thjesht objektin. “Kërkimi im për skulpturën: ç’prish formën, për të ndërtuar emocion të një mosdakordësie. Unë objektin e kam dhe bëj emocionin tim, nuk bëj thjesht objektin”, thotë ai. Me një ekspozitë personale në FAB, ku artdashësit mund të gjejnë dhjetëra punime, Qazim Kërtusha e quan një rikthim të tij këtë ekspozitë. “Unë rikthehem pas 50 vitesh, aty ku kanë filluar studimet e mia në vitet ’70 te artet. Në këtë galeri, që është pak metra larg aktivitetit tim dikur. Këtu pranë ka qenë atelieri i skulpturës. Me miqtë e mi të Universitetin të Arteve, kurator profesor Sadik Spahinë dhe me mbështetjen e gjithë grupit të UA me prof. Artan Peqinin dekan, u krijua mundësia për të hapur këtë ekspozitë”, tregon ai. Ekspozita përmban 70 punime në të gjithë materialet, në bronz, hekur, etje, si dhe vizatime. Skulptori i njohur Qazim Kërtusha tregon se janë 61 vepra në skulpturë dhe 9 vizatime. “Punimet nisin që nga 1972. Fillojnë me një maskë të rrahur në bakër në vitin ‘72 kur isha student, dhe në vijim janë punime të tjera deri në kohët sot. Janë 50 vjet punime, gjysmë shekulli. Motivet janë projekt ide për tu shndërruar në skulptura parku, në monumente. Këto janë thjeshtë idetë e mia. Ka dhe një set të madh në bronz dhe figura nudo, nostalgjia, etj. Unë kam një bashkëpunim shumë të mirë me një fonderinë “Albanian bronze foundry” dhe e falenderoj për mbështetjen”, thotë skulptori Kërtusha.
Aktiviteti dhe veprat
Ekspozita që u hap këto ditë në galerinë FAB bëri bashkë miq, kolegë, artdashës të veprave të tij dhe do qëndrojë deri më datë 30 prill. Skulptori Kërtusha thotë se në hapje të saj erdhën shumë bashkëqytetarë të tij nga Durrësi. “Ishin një numër i madh natën e hapjes së ekspozitës dhe më gëzuan. Një mbështetje e madhe, që më dhanë qytetarët e mi ose Muzeu Arkeologjik, sepse unë kam punuar 37 vjet atje”, tregon skulptori. Me vepra të ndryshme në jetën artistike, skulptori Qazim Kërtusha është produkt i dy sistemeve, ku punë të tij nuk mungojnë edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Qazim Kërtusha është një nga artistët durrsakë, që kanë studiuar në Institutin e Lartë të Arteve. Kërtusha ka realizuar skulptura parku, që kanë zënë vend në qytetin e Durrësit, Fushë Krujë, Kavajë, Pejë (Kosovë), Verona e Sardenjë (Itali), Vjenë (Austri), etj, ndërsa është pjesëmarrës në disa ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit. Monumenti i presidentit amerikan Xhorxh Bush; Maska kushtuar artistëve durrsakë në shekuj; busti i luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Indrit Cara në Kavajë, monumenti i Haxhi Zekës në Pejë bashkautor me Idriz Balanin, monumenti i John Lenonn në Durrës apo ai i aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu në Vjenë janë disa nga punimet e tij.








































