Google search engine
Home Politike Drejtesi Tronditen themelet e Berishës dhe Metës, SPAK rihap hetimet për CEZ-DIA dhe...

Tronditen themelet e Berishës dhe Metës, SPAK rihap hetimet për CEZ-DIA dhe merr në pyetje të pandehurin kryesor të çështjes

0
238

SPAK ka rihapur një nga dosjet e bujshme, e njohura si vjedhja më e madhe e buxhetit të shtetit, ndryshe dosja CEZ-DIA. Mësohet se dy prokurorët, drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe prokurori Altin Dumani, po ndjekin këtë hetim, ndërsa pak ditë më parë kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn. Ismailaj qëndron në burg pas një dënimi dhënë ndaj tij, për të njëjtën aferë, nga Gjykata Penale e Tiranës me 11 vite burg. Ky është një hetim i ri dhe sipas burimeve nga SPAK është regjistruar një padie në të cilën janë akuzuar për këtë aferë edhe ish-zyrtarë të qeverisë së PD-s, mes tyre dhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta, asokohe ish-ministër Ekonomie dhe Energjetike. Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit. Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara.

Skema për aferën e CEZ-DIA

Ndërkohë, afera CEZ-DIA konsiston në një skemë që ishte e thjeshtë dhe një nga mënyrat e CEZ-it për të ndarë me pushtetarët shqiptarë paratë që akumuloheshin nga abuzimi i përbashkët. Paratë që CEZ i jepte Ismailajt kalonin si kosto në buxhetin e shtetit, pra në kurriz të qytetarëve shqiptarë, pasi CEZ ngrinte herë pas here pretendime për njohjen e borxhit të keq, uljen e çmimit të energjisë që blinte tek KESH dhe që ua shiste me shtrenjtë shqiptarëve, zhvlerësimin e aseteve të OSSH dhe favorizimeve të tjera, të cilat pranoheshin nga qeveria e Sali Berishës. Disa indicie, rrethana dhe dëshmi tregojnë se njeriu që qëndronte pas Kastriot Ismailajt, është Ilir Meta, i akuzuar se ka udhëtuar drejt Pragës për të negociuar në mënyrë të paligjshme kontratën mes CEZ dhe DIA. Por, vetë Ilir Meta ka deklaruar se pas Ismailajt qëndron Sali Berisha. Në shtator të vitit 2015, u zbulua për herë të parë në publik dëshmia e ish-shefit ekzekutiv të CEZ, Jozef Hejsek, i cili ka kishte deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si njeriun e tij të besuar për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ shpërndarje. Jozef Hejsek e bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, pasi kompania e Kastriot Ismailajt, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ.

Sherri mes Berishës dhe Metës për aferën e CEZ-DIA

Ishte koha kur Sali Berisha dhe Ilir Meta po kalonin një stinë grindjesh dhe mërish, pasi Meta kishte braktisur Berishën në pranverën e vitit 2013, duke u bashkuar me PS-në, koalicion i cili disa javë më pas do të rrëzonte Berishën nga pushteti. Edhe pse që të dy akuzoheshin se kishin futur duart në çështjen CEZ dhe CEZ-DIA, Berisha shpërtheu ndaj Metës sapo mësoi për dëshminë komprometuese të Jozef Hejsek. Në 10 shtator 2015, Sali Berisha deklaroi në Parlament dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, ndërsa i kërkonte këtij të fundit të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. “Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn? Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje”, tha Berisha. Reagimi i Metës erdhi në parlament në 1 tetor 2015. Meta mohoi të ketë shkuar në Pragë për të negociuar kontratën mes CEZ dhe DIA, ndërsa e paraqiti Kastriot Ismailajn si njeri të Sali Berishës. Meta i konsideroi akuzat ndaj tij si një skenar mafioz, ndërsa kërkoi një hetim ndërkombëtar, madje amerikan. Sali Berisha pretendonte se Kastriot Ismailaj ishte njeriu i Ilir Metës, ndërsa Meta pretendonte se Ismailaj ishte njeriu i Berishës. Mbetet për t’u para nëse Berisha dhe Meta u qëndrojnë këtyre akuzave dhe nëse SPAK do t’i pyes për këtë aferë, për të cilën deri më sot është dënuar vetëm Ismailaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here