Opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit të shquar shqiptar Prenk Jakova me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi, u shfaq për herë të parë më 1 dhjetor të vitit 1958 në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Opera me katër akte dhe e vënë në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti. Akti i parë i operës së parë shqiptare u soll për publikun në kuadër të 60-vjetorit të krijimit të Fakultetit të Muzikës. Në hollin e Universitetit të Arteve për dy mbrëmje erdhi për të pranishmit me regji nga Rozi Kostani, dirigjente Suzana Turku dhe koncertmaestër Elvis Peçi. Në aktin e parë të operës së parë shqiptare “Mrika” interpretuan artistë të rinj, studentë të Universitetit të Arteve. Regjisorja Rozi Kostani vlerëson bashkëpunimin me dirigjenten dhe koncertmaestron. “Shfaqja erdhi me interpretimin e studentëve të kantos të vitit të tretë Bahcelor dhe të vitit dytë Master. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm me dirigjenten Suzana Turku dhe koncertmaestron Elvis Peçi. Shfaqja u soll për publikun në hollin e Universitetit të Arteve, me rastin e 60- vjetorit të krijimit të Fakultetit të Muzikës”, tregon regjisorja Kostani. Me rastin e themelimit të Fakultetit të Muzikës po zhvillohen aktivitete të ndryshme gjatë kësaj kohe, një stinë koncertore që ka bërë bashkë artistët. Pjesë e këtyre aktiviteteve edhe shfaqja me aktin e parë të operës shqiptare “Mrika”.
Shfaqja e “Mrikës”
Akti i parë i operës “Mrika” e vitit 1958 u risoll për publikun me një këndvështrim të ri regjisorial, ku kostumet dhe skenat ishin menduar me kujdes nga regjisorja Rozi Kostani. Skenografia u realizua nga Bendis Qose dhe kostumografia nga Venera Breznica. Një produksion, i cili erdhi nga brezi i ri, por sipas regjisores Kostani ishte një kënaqësi të punoje me operën shqiptare. “Erdhi me një këndvështrim të ri si shfaqje dhe nuk ka gjë më të bukur se opera shqiptare, sepse ne jemi mësuar gjithmonë të shohim veprat e operave të huaja. Nuk kishte kënaqësi më të madhe se sa të punoje me operën e parë shqiptare. Veprat shqiptare duhet të vihen në skenë. Ato duhet të rikthehen, sepse janë identiteti jonë. Si mund të ecësh përpara pa identitet?”, thotë regjisorja Rozi Kostani. Ketë vepër që ishte një proces krejtësisht i ri, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një opera kombëtare. Puna për operën filloi në vitin 1956. Ngjarjet e operës së parë shqiptare “Mrika” zhvillohen në vitet ‘50 dhe në to përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, për herë të parë opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova u interpretua më 26 nëntor të vitit 1959. Prenk Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar “Mrika”. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.