Çekiçi lë gjurmë me gol në fitoren e Koniasporit, Balliut mund t’i kushtojë kartoni i kuq në Spanjë

0
182

Lojtarët e Kombëtares nuk patën ndonjë fundjavë të avancuar këtë herë, domethënë nuk lanë gjurmë kushedi, me përjashtim të disa kokrrave që e shënuan emrin e tyre në listën e statistikave të klubeve përkatëse, sikurse ndodhi me Endri Çekiçin në ligën e parë turke, me skuadrën e Koniasporit, me të cilën po siguron pjesëmarrjen në zonën Champions dhe mund të ketë një shans për më shumë në karrierën e tij, së bashku me dy shqiptarët e tjerë të kësaj skuadre, Sokol Cikalleshin dhe Zymer Bytyçin. Kështu, Koniaspor fitoi me rezultatin e thellë 4-1 në Superligën turke ndaj skuadrës së Gaziantep, dhe ishte pikërisht një shqiptar ai që hapi llogaritë e sfidës e pikërisht lojtari i kombëtares së Shqipërisë, Endri Çekiçi. Fantazisti kuqezi realizoi me kokë në minutën e 32, ndërsa përfitoi nga një harkim i shkëlqyer i lojtarit të Kosovës, Zymer Bytyqi. Ky ishte goli numër pesë në 31 paraqitje të 25-vjeçarit me Koniaspor ndërsa në këtë sezon është shndërruar në një nga lojtarët bazë të 11-të shes titullare. Pas golit të Çekiçit, suksesi për turqit u bë më i lehtë teksa realizuan edhe tre herë të tjera ndërsa ekipi ruan vendin e tretë të klasifikimit me vetëm një pikë më pak se Fenerbahçe e vendit të dytë. Ndërkaq, për Koniaspor në pjesën e dytë, në minutën e 65 u aktivizua edhe Sokol Cikalleshi, i cili zuri vendin e Bytyçit, por nuk ia doli të shënonte.

Balliut mund t’i kushtojë rëndë kartoni i kuq

Mbrojtësi kuqezi, Ivan Balliu, mund të humbasë ndeshjen e së dielës së ardhshme të Rajo Valekanos kundër Barcelonës, pas goditjes ndaj Duartes në takimin kundër Alavesh, ku shqiptari doli nga fusha e lojës me karton të kuq. Martinez Munuera shënoi në procesverbalin e arbitrazhit se: (Në minutën e 88-të lojtari (20) Ivan Balliu u përjashtua për arsyen e mëposhtme: Shkelja në kyçin e këmbës së kundërshtarit kur topi nuk ishte në lojë.) Dënimi për lojtarin e kombëtares shqiptare pritet të jepet nga disiplina e La Ligës dhe mbrojtësi mund të humbasë të paktën dy takimet e radhës në kampionat, të enjten kundër Espanjolit dhe të dielën kundër Barcelonës. Siç e bën të qartë Kodi Disiplinor i RFEF-së në nenin 114 të tij në lidhje me përjashtimin direkt, “Në ato raste kur përjashtimi nga fusha e lojës është për shkak të situatave në të cilat futbollisti nuk do të kishte pasur mundësi të gjuante topin, pezullimi do të jetë të paktën dy ndeshje”. Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë shkruhet për Balliun në procesverbalin e arbitrit. E njëjta gjë thuhet në nenin 123 për dhunën në lojë kur ky veprim “ndodh jashtë lojës ose kur loja ndalet, do të sanksionohet me pezullim nga dy deri në tre ndeshje, pa cenuar dispozitat e nenit 98 të këtij ligji.” Neni 98, dhe ky do të ishte skenari më i keq, do të nënkuptonte që goditja e tij do të konsiderohej si agresion. Në këtë rast “Sulmimi i një tjetri, pa shkaktuar lëndim, duke peshuar si faktor përcaktues elementin keqdashës, i domosdoshëm në këtë kundërvajtje, me veprimin që zhvillohet kur loja ndalet, do të sanksionohet me pezullim deri në katër ndeshje”. Kjo do të nënkuptonte që lojtari i Rajos nuk do të luante katër ndeshjet e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here