Vllaznia do të presë Partizanit sot në Shkodër, në duelin e kthimit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Janë dy skuadrat pretendente për trofeun, pra kjo është një ndeshje që konsiderohet si finale e parakohshme, për më tepër që dueli i parë gjysmëfinal midis tyre ka përfunduar në barazim 0-0 dhe fatet e kualifikimit janë të hapura. Nëse në gjysmëfinalen tjetër Laçi e ka hedhur një hap përpara drejt finales së madhe sepse mundi Teutën 2-1 në Durrës, duket se në duelin e sotëm në Shkodër, në “Loro Boriçi”, pritet të jetë një duel zjarr, sepse të dy ekipet e shohin Kupën si mundësinë e madhe për të shpëtuar sezonin me trofe dhe për të siguruar automatikisht pjesëmarrjen në Europë. Por në prag të këtij takimi nuk kanë munguar as deklaratat pompoze të lojtarëve e stafeve respektive, por edhe dyshimet për arbitrat, sidomos në krahun e Vllaznisë, që nuk u besojnë gjyqtarëve kryeqytetas, por duket se edhe për Partizanin është një çështje e nxehtë, sepse sidomos Eena Jorgji nuk shihet i përshtatshëm. E thënë ndryshe, Jorgji për të dy palët është “non grata”.
Arbitrimi shihet problem
Në fakt, duhet pranuar, polemikat për gjykimin në ndeshjen e parë gjysmë finale të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, e luajtur më 31 mars në “Elbasan Arena”, e kanë vendosur në një siklet të madh FSHF-në për caktimin e arbitrave në prag të sfidës së kthimit që do të luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Referuar disa burimeve të dalë nga qeveria e futbollit, sektori i gjykimit ka marrë së fundmi në një kërkesë nga Vllaznia për mospërfshirjen në këtë ndeshje të arbitrave nga kryeqyteti. “Për të shmangur çdo paragjykim nuk duam që në këtë takim të kemi arbitra nga Tirana”. Është ky mesazhi që klubi i Vllaznisë u ka dhënë drejtuesve të sektorit të gjykimit në prag të ndeshjes që do të vendosë se cili prej ekipeve do të kualifikohet në finalen e Kupës. Por pse FSHF është në hall? Nga të njëjtat burime mësohet se sektori i gjykimit, duke parë rëndësinë e takimit, kishte menduar që të dërgonte në Shkodër vetëm arbitra që kanë stemën e FIFA-s. Nga treshja e kryesorëve, gjithnjë nëse merrej parasysh kërkesa e Vllaznisë, “digjej” vetëm Juxhin Xhaja, i cili është pjesë e Kolegjiumit të Tiranës.
Jorgji, i padëshiruar nga të dy palët
Nga ana tjetër, Enea Jorgji dhe Eldorian Hamiti janë të kolegjiumeve të Elbasanit dhe Lezhës. Por, edhe i pari “digjet” nga mundësia për të arbitruar Vllaznia-Partizani, pasi është kontestuar fuqishëm nga drejtuesit e kuq, madje edhe kur u rikthye të gjykonte “demat” pas 9 muajsh. Më 26 shkurt të këtij viti në Partizani-Dinamo 0-0, menjëherë pas ndeshjes drejtori i klubit, Olsi Rama, shpërtheu në akuza ndaj Jorgjit. Kësisoj, gjasat që elbasanasi të gjykojë nesër në Shkodër janë shumë të pakta edhe prej precedentit të sezonit të kaluar, kur një penallti e akorduar nga Jorgji në Partizani-Vllaznia 0-1 vendosi për titullin kampion. Por, sikur të mos mjaftojë kjo situatë, ka një ngërç edhe me arbitrin tjetër të FIFA-s, Hamiti. Ky i fundit kontestohet nga Vllaznia.









































