Mijëra materiale fotografike online të reja, që lidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore në vend gjatë viteve 1939-1990 u publikuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Rreth 85.000 foto të digjitalizuara së fundmi, të cilat shfaqin veprimtarinë në kuadër të Luftës Nacional-Çlirimtare, si dhe aktivitetet e mëpasshme të ndërmarra nga krerët e organeve të udhëheqjes komuniste, bëhen publike për çdo studiues apo të interesuar në faqen zyrtare të Fototekës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. DPA shprehet se hulumtimi i mundësuar në rrugë online në adresën fototeka.arkiva.gov.al, lehtëson qasjen në përmbajtjet fotografike, duke “zhvendosur” kështu sallën e studimit në çdo kompjuter personal. “Në sajë të procesit të digjitalizimit, fotografitë e paraqitura rishtazi, i bashkohen pasurisë prej 86.000 imazhesh të publikuara më herët”, shprehet DPA. Fototeka e DPA-së është renditur e dyta në rang vendi, pas fototekës së “Marubit”, për nga materiali përkatës nën zotërim. Fotografitë e ruajtura në DPA janë të formateve dhe cilësisë së ndryshme, të klasifikuara sipas fushave të veprimtarisë së shoqërisë (jeta politike, lufta, jeta shoqërore, qyteti, arsimi, kleri, etj.) Përmes platformës “online”, çdo qytetar mund të aksesojë falas dhe në format të dallueshëm fotografitë. Gjithashtu, duke shtypur një komandë të afishur përbri faqes së ueb-it, hulumtuesi mund të blejë në rezolucion të lartë fotografitë e përzgjedhura. Me synimin e arritjes së një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes institucionit dhe të gjithë të apasionuarëve pas historisë apo fotografisë, platforma është interaktive dhe çdokush mund të sygjerojë elementë përshkrues shtesë. Digjitalizimi i Fototekës së DPA-së u bë i mundur prej pajisjeve të blera gjatë vitit mbarëkombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si pjesë e rinovimit teknologjik të DPA-së, financuar nga qeveria shqiptare.









































