Google search engine
Home Aktualitet Xhahid Bushati: Komercialiteti është armik i cilësisë, e dëmton këngën sa ndodh...

Xhahid Bushati: Komercialiteti është armik i cilësisë, e dëmton këngën sa ndodh që ajo ngjan si letër ambalazhi, që e mban e më pas e hedh në koshin e plehrave

0
261

Një këngë nuk mund ta kuptosh pa një tekst të mirë. Për autorë dhe artistë të njohur një pjesë e konsiderueshme tekstesh janë pakuptim. Autori i teksteve Xhahid Bushati shprehet se komercialiteti është armik i cilësisë. Sipas tij, problem në tregun muzikor është se publikut i ofrohen dhe këngë komerciale pa vlera. Në intervistën për gazetën “SOT”, autori Bushati thotë se institucionet duhet t’u hapin më shumë rrugë mjeshtrave të krijimit. Sipas tij, sot ka nevojë për diskutime, për strategji dhe platforma. Në këto strategji dhe platforma vijon Bushati, zëri kryesor duhet të jetë i kompozitorëve që e duan këngën, tekstshkruesve, kantautorëve, këngëtarëve. Xhahid Bushati flet dhe për festivalin “Prandverë me kangë”, që zhvilloi edicionin e parë në Shkodër. Ai thotë se në këtë festival kompozitorët, kantautorët e tekstshkruesit sollën materiale interesante dhe në shumë aspekte u pa cilësia dhe vizioni artistik, dhe për këtë ky festival duhet përgëzuar. Xhahid Bushati është një autor tekstesh me vlerësime në krijimtarinë e tij. Nderuar me çmim të parë në një prej festivaleve më të mira të këngës qytetare në vend “Lule borë”, por që ka marrë pjesë dhe në festivalet e fëmijëve për 30 vite rresht si autor.

-Festivali “Prandverë me kangë” zhvilloi edicionin e parë në Shkodër. Për ju çfarë i solli publikut ky edicion i parë, ku morën pjesë edhe këngëtarë nga Kosova?

Për dy net me radhë në sallën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës u zhvillua edicioni i parë i festivalit me këngë popullore qytetare shkodrane, i titulluar “Prandverë me kangë”. Në këtë festival kompozitorët, kantautorët e tekstshkruesit sollën përgjithësisht materiale interesante, dhe në shumë aspekte u pa cilësia dhe vizioni artistik. Për këtë, ky festival duhet përgëzuar shumë. Disa problematika, do t’i trajtoj edhe më poshtë lidhur me ecurinë e tipologjisë së këngëve, si dhe problematikat që kanë ofruar tekstshkruesit në këtë kohë. Pse disa dukuri negative nuk po largohen? Cilët janë arsyet?. Siç e thashë do t’u jap përgjigje këtyre pyetjeve dhe disa të tjerave, mbi bazën e përgjigjeve të pyetjeve. Lidhur me festivalin e edicionit të parë, pati pjesëmarrje edhe nga Kosova, siç ishte prania e kantautorit Artan Bakija, i cili për këngën e tij, e cila ishte ndërtuar mbi bazën e melosit shkodran, u nderua me “Përformacën më të mirë”.

-Jeni autor tekstesh si dhe fitues në festivale. Një tekst i mirë, çfarë i sjell këngës?

Një këngë të mirë, nuk mund ta kuptosh pa një tekst të mirë; sigurisht të shpirtëzuar, të harmonizuar ëmbël, si dhe thekset poetike të bien pa deformime mbi thekset muzikore. Një tekst i bukur, me një këndvështrim interesant, me një motiv e fabul të zhvilluar nën “dirigjimin” e hapësira të këngës, i sjell asaj një nur të bukur dhe një kurorë që spektatori menjëherë e dashuron, e duartroket dhe e këndon pa vonesë. Të tillë modele këngësh pati edhe ky festival. Por kemi edhe plot këngë të tipologjive e zhanreve, rrymave… etj, të ndryshme që na falin përftesa etike dhe estetike, kënaqësi; por njëkohësisht teksti i fal këngës jetëgjatësi dhe jo harresë.

  -Sipas jush, ku qëndron e veçanta e festivalit “Prandverë me kangë”?

Edicioni i parë i festivalit “Prandverë me kangë” zgjoi interes. Tani ku qëndron veçantia e këtij festivali? Në pjesën dërmuese të këngëve solli “Pranverë”, atë stinë që e ka pasur dhe e ka kënga popullore shkodrane. U reflektuan disa dukuri pozitive, si: përmes bulëzave të këngëve popullore shkodrane të krijuara në vite e dekada u panë “bulëzime” të atyre modeleve, por të trajtuara me imazhe të reja kohore, këndvështrime dhe ngjyra aktuale si në motive, si në pasazhe muzikore, si në zëra të kënduar; pati gjithashtu këngëtarë e këngëtare të reja, që unë besoj se, me talentin e tyre do ta çojnë më tej zhvillimin e këngës popullore qytetare shkodrane, duke i dhënë shpirt, freski e dashtunim…,etj, asete të vyera që i ka kjo këngë sa e moçme aq edhe e re.

 -Shkodra ka dhe festivalin e këngës “Lulebore”…

Është e vërtetë. Festivali “Lule borë” edhe pse ruan një simbolikë të tillë, në rrugën që mori, pra, e kam fjalën në prurjet e materialit muzikor, mori kahjen e një festivali të këngës së lehtë. Që Shkodrës të mos i mungojë “shpirti” i kangës shkodrane, institucioni i teatrit “Migjeni”, sigurisht edhe me kujdesin e Bashkisë së Shkodrës, kujdes që nuk ka munguar për aktivitete kulturë-artistike, u pa me të drejtë të krijohej edhe një festival tjetër, siç ishte “Prandverë me kangë”, që sipas meje, pati këmbën e mbarë, sepse shpalosi në pjesën dërmuese identitetin e këngës shkodrane, një tipar të këtij qytetit, i cili nuk mund të kuptohet pa këtë tipar, ashtu si edhe pa disa tipare të tjera: kulturore, historike, apo në lëmin e trashëgimisë, etj.

 -Kemi këngë të bukura, por në tregun muzikor ka dhe këngë që për krijues të ndryshëm kanë probleme me tekstin. Sa e keni hasur ju këtë në krijimtari në përgjithësi?

Sot kemi shumë këngë. Vazhdojnë të dalin këngë të reja. Shpesh i shikoj (e kam fjalën ato me videoklipe) i dëgjoj, një pjesë i shijoj, një pjesë jo. Po mundohem të shpërfaq disa dukuri, si ka këngë që ia kanë “dorëzuar shpirtin” tregut muzikor. Këta janë komerciale, pothuajse pa pikë vlerash. Do të harrohen shpejt dhe dëmtojnë vlerat e këngës si tipologji e si zhvillim gjinish e zhanresh. Këngët që kanë një tekst të bukur e i përshtatet një kënge të bukur e të frymëzuar, të orkestruar mjeshtërisht, nuk janë edhe aq të shumta, por të japin kënaqësi estetike dhe t’i këndon zemra. Këto duhen shumuar. Janë modele që duhet të zënë vend më shumë. Sipas meje kjo tipologji zhvillimi duhet të jetë nën kujdesin e mjeshtrave kompozitorë, ata duhet ta thonë më shumë fjalën e tyre përmes krijimit, e institucionet duhet t’u hapin atyre më shumë rrugë. T’i hapin rrugë këngës së vërtetë. Ka këngë që nuk kanë fabul e në tekst përsëritet e njëjta fjalë ose shprehje sa të mërzitet kënga teksa e dëgjon. Ka dhe plot këngë (këtu po përfshijë edhe plot videoklipe) që përçojnë plot fjalë e skena të pahijshme, plot banalitete, etj, si e si të fitojnë “vlerat” e tregut dhe jo vlerat e vërteta. Komercialiteti është armik i cilësisë. Kaq e dëmton këngën, sa e bën sakat. Ndodh që ajo ngjan si letër ambalazhi, që e mban e më pas e hedh në koshin e plehrave. Ka nevojë për diskutime, ka nevojë për strategji dhe platforma. Në këto strategji dhe platforma zëri kryesor duhet të jetë i kompozitorëve që e duan këngën, tekstshkruesve, kantautorëve, këngëtarëve që kanë lënë gjurmë dhe orkestruesve që u kanë dhënë, krahas këngëtarëve, jetë këngës që të dëshmojë se duhet të këndohet për një kohë të gjatë. E njëkohësisht duhet që kjo këngë t’u lihet amanet dhe brezave. Kujtesa muzikore është me shumë rëndësi.

-Muzika dhe teksti sipas jush si duhet të qëndrojnë në një këngë të bukur?

Teksti dhe muzika duhet të jetë si vëllezër binjakë, si motër e vëlla binjakë. Pra, nga përvoja ime në marrëdhënie me kompozitorët, bashkëpunimi im me ta kanë qenë i frytshëm, sepse ata kanë qenë edhe kompozitorë e poet në këngë, ndërsa unë kam qenë poet dhe kompozitor në këngë. Personalisht gjatë punës për këngën e krijuar, kompozitorë, si: Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Zef Çoba, etj, kanë qenë shkollë e modele për mua. “Leksionet” dhe urtësia e tyre kanë pasur hapësirat e dijes dhe më kanë mësuar si duhet trajtuar kënga, që ajo të ketë hijeshi dhe duartrokitje të vërteta.

-Për ju çfarë është shqetësuese në aktivitete apo festivale të ndryshme në vend për prurjet muzikore në skena?

Për mua shqetësuese është se nuk u lihet hapësira:- gjykimit me ndershmëri e kulturë i këngës, -të pranimit të vlerave të saj, dhe penetrimi i këngëve pa vlera në aktivitete e në treg është ajo që më shqetëson më shumë. Duhet ta nderosh këngën. Ajo këngë që përmban vlera në të gjithë komponentët e saj, “duhet të marrë biletën” për të fluturuar dhe për të “trokitur” dinjitetshëm në zemrat e shpirtin e spektatorit. Kënga e bukur të zgjat jetën. Kjo është domosdoshmëri e kohës që po jetojmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here