Armando Broja është lojtari më i komentuar i këtij sezoni ndër të gjithë futbollistët shqiptarë. Ai është në top-15 lojtarët e moshës U-20, duke marrë vlerësime edhe në shtypin sportiv britanik si element i së ardhmes dhe me shumë peshë në lojën dhe rezultatet e Sauthemptonit. Por Broja, duke qenë në formë e duke shënuar gola me peshë për ekipin e tij dhe me përfaqësuesen, ka marrë vëmendjen e shumë klubeve, që kanë nisur kontaktet me Çelsin, klubin që ka kartonin e tij. Jo vetëm skuadrat angleze, por mësohet se janë shumë klube italiane që janë vënë në gjurmët e talentit shqiptar, duke dashur ta marrin atë në verë. Mbetet të shihet se cilën opsion do të zgjedhë, ndoshta nuk do të largohet nga pronësia e Çelsit, por është fakt i pamohueshëm se skuadra si Milani dhe Interi kanë shprehur interesim për futbollistin shqiptar. Përveç italianëve janë vetë klubet angleze që janë duke e monitoruar situatën e tij.
Pas Milanit dhe Interit, edhe Napoli i interesuar për Brojën
Pas Milanit dhe Interit, një nga skuadrat italiane që ka hyrë në garë për të blerë 20-vjeçarin është edhe Napoli dhe ky lajm konfirmohet edhe nga Salvatore Banji. Ish-mesfushori i skuadrës napolitane, në një intervistë të dhënë për “Tele A”, ka konfirmuar se Napoli është interesuar për Brojën, por mundësitë që ta blejnë janë zero pasi sulmuesi i Kombëtares ka një çmim tepër të lartë në merkato. “Konfirmoj interesimin e Napolit për Armando Brojën, por gjithashtu ju them se ai nuk do të veshë atë fanellë. Bëhet fjalë për një lojtar shumë të fortë dhe pengesa është që ai ka një çmim tregu i cili është i paarritshëm për klubin e Napolit. Strategjia është e qartë, lojtarët që do të vijnë nuk do të jenë shumë të shtrenjtë, pavarësisht se Napoli mund të kualifikohet për në Champions League”, theksoi ndër të tjera Banji.
Çelsi, opsioni më real për të vazhduar karrierën
Çelsi është klubi i origjinës së sulmuesit Armando Broja. Ai ka dalë nga akademia e bluve të Londrës dhe ka marrë aty formimin si futbollist profesionist. Çelsi e huazoi në Holandë, tek Viteshe, ku sulmuesi shënoi një numër të madh golash dhe ishte kjo arsyeja që klubi anglez e ktheu me urgjencë në radhët e veta, për ta mbajtur për sezonin në vazhdim. Por ndodhi që Çelsi mori nga Interi Romelu Lukakun, për këtë arsye blutë e huazuan sërish Brojën, këtë herë brenda Premier League, tek klubi i Sauthemptonit. Kjo ishte një lëvizje që i dha Brojës lirinë e dëshiruar për të treguar vlerat e tij në një klub që luan në elitë dhe me ambicie. Dhe djaloshi shqiptar i tregoi vlerat e tij, duke bërë gola me vlerë, edhe pse ka vuajtur nga mjaft dëmtime. Mbetet të shihet nëse do të vazhdojë tek Sauthemptoni apo do të kthehet tek Çelsi. Me një Lukaku të lodhur e pa shumë bereqet, duket se Broja do të kthehet tek Çelsi në verë. Nuk përjashtohet mundësia që klubi anglez ta shesë atë në verë për një shumë të majme, por klubet italiane që kanë shfaqur deri tani dëshirë nuk kanë para mjaftueshëm për ta blerë talentin shqiptar nga Çelsi.






































