Google search engine
Home Sport Iljaz Ҫeço: Sot futbolli është shndërruar në biznes, ju tregoj si e...

Iljaz Ҫeço: Sot futbolli është shndërruar në biznes, ju tregoj si e shkatërruan Dinamon

0
1374

Iljaz ?eço është një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar. Dinamovit dhe kuqezi, ai ka qenë protagonist në disa prej ndeshjeve lapidare në historinë e futbollit tonë, duke dëshmuar kualitet dhe teknikë të lartë, i spikatur e madje i dëshiruar nga klubet e huaja, ku i janë bërë oferta të majme që në atë periudhë. Jo vetëm si futbollist, por ?eço do të drejtonte për disa vite klubin e Dinamos e koha e drejtimit të tij përkon me ngritjen e kompleksit të Dinamos, më i madhi në Ballkan në kohën e ndërtimit, i bazuar në modelin funksional të klubit francez Paris San Germain. Pas viteve 90-të, Dinamo u atakua, me logjikën e mbrapshtë se ka qenë klub i Ministrisë së Brendshme dhe pasi ia morën e degraduan kompleksin e nxorën në rrugë të madhe. Sot Dinamo funksionon vetëm si emër, pasi nuk ka një shtëpi të saj, por ka mundur të rikthehet në elitë falë sponsorizimit të Ardian Bardhit. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, ?eço na sjell nga kujtimet e tij emocionet e futbollit të kohës, udhëtimet me Dinamon jashtë shtetit, përplasjen me Ajaksin e madh, përfaqësimin me Shpresat në Greqi etj.

Kush është Iljaz Çeço?

Datëlindja: 3 janar 1947

Vendlindja: Lushnjë

Klubi fillestar: Traktori-Lushnjë (1961-1963)

Klubi i jetës: Dinamo (1964-1978)

Pozicioni: Mesfushor-sulmues

Me Kombëtaren: 11 ndeshje

Lojtari më i ri që ka luajtur në elitë, me Lushnjën, vetëm 15 vjeç.

Lojtari më i ri që ka luajtur në ekipin përfaqësues, vetëm 17 vjeç kundër Holandës në vitin 1964.

Trofe: 5 Tituj kampion , 4 Kupa, 2 Spartakiada, të gjitha me Dinamon.

Vlerësimet:

-Mban titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

-“Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Qytetar Nderi i Lushnjës”, dy herë fitues i “Anketave Sportive”, fitues i Anketës Sportive “Çamëria 2016”.

– Dinamo, një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, u degdis si mos më keq, e tani ka mbetur rrugëve. Si dinamovit, si ndiheni?

Shkatërrimi i Dinamos ndodhi brenda një 10-vjeçari. U shkatërrua kompleksi, fushat, aneksi prapa “Qemal Stafës”, fusha para stadiumit “Selman Stërmasi”, plus fushat e ekipeve zinxhirë, me pak fjalë gjithçka ishte e Dinamos u shkatërrua. Se kush ka qenë infrastruktura e Dinamos mjafton të kujtoj këtu një trajner të shquar anglez që erdhi në ato vite, i cili kur e pa, tha “vetëm këtu vinka era Europë”. Ky kompleks infrastrukturor u bë me ndërhyrjen dhe dashamirësinë e ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Hekurain Isai, dhe zv/ministri Hysen Shahu, të cilëve për këtë rast u takon t’u bëjnë një bust. Klubi i Dinamos u ndërtua sipas projektit të PSG-së franceze. Kompleksi kishte 74100 m2 dhe në kohën e ndërtimit ka qenë më i madhi në Ballkan. Qëllimi në atë kohë ishte që krahas fushës për ekipin e madh, të kishte dy fusha për stërvitjen e të rinjve. Do të ndërtoheshin edhe shkallë në mënyrë që ndeshjet e dobëta të kampionatit të mund të zhvilloheshin brenda kompleksit. Kjo në një farë mase gjeneronte të ardhura për klubin. Mos harroni që në kohën e ndërtimit të kompleksit, Dinamo ishte jo vetëm klub elitar, por nga 8 kupa që jepeshin, 5 ose 6 i fitonte Dinamo. Dua të them që ka qenë një klub modern, të cilit i mungonte vetëm profesionalizmi (dihet që sporti ynë ishte amator). Pakkush e di sot se në atë periudhë ne sollëm nga Italia aparatin audioviziv për analizat e ndeshjeve dhe të lojës në tërësi. U ndërtua dhoma e veglave me bazë materiale që erdhi po nga Italia. Edhe mobilimi i klubit u bë sipas parametrave modern, me projekt nga jashtë, ku çdo trajner kishte dhomën e tij me kasafortë.

– Po, por a funksionoi gjithçka sipas projektit?

Sigurisht që funksionoi, nga viti 1987 deri në vitin 2003 klubi ka qenë funksional. Por çfarë shkoi keq? Rama, kryebashkiak atëherë, ndërtoi rrugën ngjitur me klubin, më pas u bë rruga tjetër. Këto rrugë e “kafshuan” klubin. Me pak fjalë, dinamoviti Edi Rama i vuri kazmën Dinamos. Klubi ka qenë funksional dhe jo vetëm kaq. Ju kujtoj se në Botërorin e vitit 1990 në Itali, Brazili ka dashur të sistemohej në kompleksin tonë, sepse kërkonte të përshtatej me klimën. Por ne nuk e morëm përsipër këtë, pasi klubi nuk e kishte kapacitetin e plotë për të pritur një përfaqësuese të këtyre përmasave. Ndoshta pak kush e di, që për të bërë fushën e Dinamos funksionale u përzje materiali duke vendosur me parametra shkencorë bioksidet, plehun rërën e marrë nga lumi Shkumbin, e gjitha kjo që të ishte perfekte. 60 të burgosur kanë punuar aty, me turne, me punë intensive. Ata e ndërtuan dhe u mbajt premtimi ndaj tyre që jo vetëm të rritej norma ushqimore, por 30 vetë të liroheshin për punë e sjellje të mirë. Ju ndoshta sot nuk e besoni, por janë bërë shpikje për të sjellë ujin. Por asgjë nuk do të bëhej nëse nuk do të ishte pasioni i Hekurain Isait.

– Një nga ngjarjet që bëri bujë në atë kohë ishte ardhja e Sportingut të Lisbonës. Ju ishit shef klubi. Si e menaxhuar rastin?

Këtu u bëmë një pritje vëllazërore. Erdhën shumë prej tyre, ishin edhe kureshtarë sepse ne ishim sistem tjetër. Në delegacionin e tyre kishte dhe personalitete të jetës politike e shoqërore përfshi djalin e presidentit. I pritëm vërtet mirë, madje bëmë edhe përjashtime, duke vënë benzat e delegacioneve në shërbim të tyre. U kënaqën shumë dhe u habitën sesi një vend i izoluar bënka kaq shumë. Atje mediat kishin shkruar se Shqipëria ishte një parajsë mesdhetare, me natyrë e popull të shkëlqyer. Atyre u pëlqeu djathi kaçkavall dhe në ikje e sipër u dhamë djathë në formë dhurate e ata u kënaqën shumë. Propaganda e tyre atje në favorin tonë ishte ekstremisht shumë e madhe. Kur bëmë ndeshjen e kthimit na bënë një pritje spektakolare. Madje hymë në bisedime me ata për të rritur bashkëpunimin sportiv. Na shtruan një darkë që nuk harrohet, ku ishin ftuar këngëtarët më të mirë të Portugalisë. Sa i takon ndeshjes ne bëmë një futboll modern në atë takim, pra luajtëm mirë, por humbëm 1-0 dhe u kualifikuan ata. Luarasi bëri atë ditë shumë pritje sa shkruajtën “ia kaloi edhe Jashinit”. Mbaj mend që në atë takim ne shkuam me uniforma të reja të prodhuara në Zvicër dhe ata u habitën krejtësisht. Siç thashë, na bënë një pritje madhështore, madje në darkën që shtroi klubi kishin ftuar një 92-vjeçar, ish-lojtar i klubit dhe Kombëtares, që e respektonin, por ky ishte vlerësim edhe për ne. Mediat të nesërmen na cilësuan ekip i madh, plot me talente. Për shkak të pompozitetit mediatik, për disa ditë me radhë në klub vinin telegrame nga Brazili, ku na kërkonin të ndesheshim me klubet e tyre. Pas këtij rasti, Hekurain Isai na tha se këtë që bëtë ju në aspektin e imazhit se ka bërë ambasada për 20 vjet.

Iljaz ?eço: Sot futbolli është shndërruar në biznes,

– Po, por një tjetër ndeshje ka qenë më e madhe dhe ju keni qenë në fushë, kundër Ajaksit të Amsterdamit në vitin 1970. Lunte Tirana por ju morën edhe juve, si qëndron e vërteta?

Luante 17 Nëntori i kohës, por nga Dinamo morën katër lojtarë, përfshi mua dhe Zhegën. Ka qenë trajner Lym Alla. Ajaksi i asaj kohe aplikonte futbollin total dhe kjo e bënte ndeshjen shumë të vështirë, por edhe tërheqëse. Dy gola na i bëri në atë kohë një mbrojtës i djathtë. Lymi më tha mua do të futesh në pjesën e dytë kur ata të jenë të lodhur. Por ndodhi diçka e papritur. Doli ekipi në fushë dhe vjen Enver Shehu e më thotë “mos humb kohë por vishu e futu në lojë”. Xuxi (Kazanxhiu) kishte këpucët me gozhdë dhe arbitri nuk e lejonte e si përfundim u futa unë. S’kisha bërë as nxemje dhe si të mos mjaftonte kjo një e dy ma pasonin topin mua. “Ore ma morët shpirtin, prisni ore të marr pak veten”. Holandezët kishin marrë topin e po qarkullonin e ne s’po kapnim topin, por unë i ndërhyra një mbrojtësi e ia mora topin e më pas ia krosova Zhegës në zonë dhe ai shënoi me kokë. Ndeshja u mbyll 2-2 dhe pas takimit trajner Lymi erdhi e më përqafoi. Atje humbëm, por bëmë ndeshje të madhe. Portieri jonë Dinella bëri pritje të jashtëzakonshme. Në stadium ka pasur 70 mijë vetë. Patëm dhe ne raste të mira shënimi, por Ali Mema, që nuk gabonte kurrë në ato pozicione, atë ditë s’e bëri dot. Një tjetër rast ishte asisti që i dhashë “Xuxit”, por ai e nxori jashtë. Kështu nuk u finalizuan dy rastet tona. Në lidhje me historinë e këpucëve të “Xuxit”, atje kishin shkruar se kishte numrin e këmbës të madh e s’i bënin, e kur shkuam në Holandë i dhuruan një palë këpucë, por ai refuzoi t’i merrte. “Si t’i marr? E kur të kthehemi të më thonë na turpërove për një palë këpucë”. Kishin shkruar edhe për mua. “Numri 14 bëri paraqitje të mirë”. Madje atje më thanë qëndro këtu, të luash me ekip të madh. Atje kishte dhe tifozë shqiptarë që ishin arratisur që na inkurajonim të rrinim, por jo, as na shkonte në mendje një gjë e tillë.

– Në fakt, a ju ka shkuar ndonjëherë në udhëtimet që bënit jashtë vendit të mos ktheheshit në Shqipëri?

Kurrë, as e kam menduar ndonjëherë. Kam pasur shumë oferta që në atë kohë, por jo, të arratisesha apo të gjeja mënyra për të mos u kthyer s’më ka shkuar ndër mend.

– Një tjetër histori e bukur është dhe vizita që keni bërë me ekipin kombëtar Shpresa në Greqi, në turneun Ballkanik. Si ndodhi që morët ofertë nga Panathinaikosi?

Në atë turne kishte pjesëmarrje të përfaqësueses së të rinjve për vendet e rajonit si rumunët, bullgarët, jugosllavët etj. Ne kishim lidhur marrëdhëniet me ta dhe atje ishte akoma në fuqi pushteti i ushtarakëve (Junta). Po përjetonin një krizë ata dhe vinin nga Kosturi të merrnin bukë tek ne. Njëri nga familjarët e Papadhopullit (dhëndri) njihej me Enver Hoxhën dhe kushti ishte që të mos përmendej termi Vorio-Epir dhe ata nuk guxuan ta përmendin. Madje nga udhëheqja e kohës në Greqi thuhej që Vorio-Epiri s’është yni por i Shqipërisë. U vendosëm në Kifisia, një nga zonat e pasura të Athinës. Kishim kontakte me arvanitas, madje atje u bë tifozllëk i madh për ne, thërrisnin gjithë kohës “Allvania, Allvania”. Skuadra jonë mundi jugosllavët 2-0 dhe të dy golat i shënova unë. Delegacionin tonë e shoqëronte zv/presidenti i federatës greke, ishte me origjinë arvanitas. Atje ne dolëm në finale me ekipin grek. Por ata vunë një arbitër vorio-epirot dhe ai e mbajti ndeshjen me hile. Na dha dy penallti kundër brenda pak minutash. Bëra unë një gol e u rifutëm në lojë, por në fund na mundën 3-2. Populli i fërshëlleu. Atje ata më bënë mua shumë reklamë, duke kujtuar edhe origjinën time nga Filati i Çamërisë. Mbaja numrin 8 në fanellë dhe ky numër zuri vend në gazeta, si lojtar cilësor. “Merr ç’të duash”, më thonin. Pastaj më ftuan të qëndroja në Greqi. “Sa do, urdhëro 5 mln dollarë, firmos me ne”. Interesohej klubi i Panathinaikosit, por përgjegjësi i delegacionit më tha “ç’bën, ç’thua kështu, janë punë me zarar këto, mos na ngatërro më tej”. Në fakt unë bëja shaka, se nuk kisha ndërmend të qëndroja.

– Të rikthehemi tek Dinamo. Është ringjitur në elitë, por duket se është sërish në rrugën e rënies, pasi ndodhet në vendin e parafundit. Diçka nuk shkon, apo jo?

Është fat i madh që e mori presidenti Ardian Bardhi, se ndryshe do të ishte degraduar krejtësisht. Ai ka bërë diçka mjaft të mirë, pasi po e mbështet ekipin dhe në Pezë do të ndërtojë kompleksin e ri të Dinamos, ku do të akomodohen ekipet zinxhirë dhe ekipi i parë, një investim mbi 3 mln euro. Dinamo ishte në elitë, por ndeshjet u bënë biznes dhe takimet me Skënderbeun shkaktuan bujë prandaj dhe UEFA e penalizoi Skënderbeun. Këtu ishte trajner ai që drejton Kroacinë, Daliç, një teknik me kërkesë llogarie. Nëse nuk vije në stërvitje e nuk punoje s’të fuste në formacion. Ai realizonte stërvitje moderne, por këta ankoheshin dhe e shkarkuan. E shkarkuan sepse ai kërkonte disiplinë. Nën drejtimin e tij Dinamo në fazën e parë ishte kampione, kurse në pjesën e dytë të kampionatit ra në “play-off”. Atë sezon shpëtoi, por një vit mbrapa ra nga kategoria, në vitin 2011. Duhej të binte Dinamo sepse përkonte me dëmtimin e kompleksit. Çfarë s’ka hequr klubi! U zhdukën kupat, fotografitë e sportistëve ikonë të Dinamos, figurat e nderuara të klubit, që përfunduan në koshat e mbeturinave. Përgjegjësinë e mban presidenti që duhet t’i ruante. Në këtë mënyrë u shkatërrua historia e klubit dinamovit.

– Cila është përshtypja juaj për Dinamon e tanishme?

Dinamo e këtij sezoni ka vuajtur nga drejtimi. Mendimi im është se skuadra nuk është e konsoliduar, ka mungesë të përgatitjes fizike dhe mungesë harmonie mes repartesh. Domethënë ky nuk është një ekip kolektiv. Kjo skuadër nuk pati lojtarë që të krijojnë një bosht, një shtyllë kurrizore të grupit. Vuajtjet më të mëdha i ka shfaqur në mbrojtje, një repart shumë i dobët. Mbrojtja e Dinamos nuk kryente dot as elementët më të lehtë, që janë diagonalet, për të mos folur për driblimet dhe elementë të tjerë. Dua të them që Dinamo nuk u shfaq skuadër funksionale. Futbolli është edhe refleks, e me këtë rast kujtoj rininë time me Medin Zhegën, që sinkronizoheshim në mënyrë perfekte. Sot Dinamo nuk ka talente të tillë që të merren vesh brenda grupit. Por këtu ka dhe një problem tjetër, që nuk lidhet vetëm me Dinamon por në tërësi me futbollin shqiptar e ka të bëjë me traditën e këtij sporti në Shqipëri.

– Çfarë, konkretisht?

Tradita e futbollit shqiptar, që ta themi kështu hapur, është shkatërruar. Ekipet më të mira, me infrastrukturë të ngritur herët dhe me peshë në futbollin tonë, kanë zbritur në kategoritë inferiore. Ky është një element i rëndësishëm, sepse tradita dhe klubet e traditës regjistrojnë shtyllën kurrizore të futbollit të një vendi dhe kjo shtyllë është sot e deformuar. Dobësia shfaqet në disa forma. Këtu lind dhe një element tjetër i rëndësishëm, që ka të bëjë me formatin e garës. Na duhet një kampionat me 14 ekipe. Kjo formulë që kemi aktualisht, me 10 skuadra dhe katër faza, nxit marrëveshje dhe kompromise e pazare ndërmjet klubeve. Kjo formulë që aplikojmë tani nxit rezultate fiktive të ndeshjeve. E me ç’shoh, duket se Dinamos i janë vënë për ta rrëzuar, për ta kthyer sërish në kategoritë inferiore.

– Kush e jep garancinë që formula me 14 ekipe nuk i shfaq këto probleme?

Asgjë nuk mund të jetë perfekte, por një format me 14 ekipe e minimizon fenomenin dhe nuk u bie klubeve të mëdha të rrëzohen nga kategoria. Mos harrojmë që ekipet e traditës dhe klubet e mëdha në tërësi kanë ekipe zinxhirë, kurse klubet e vegjël nuk e kanë këtë luks. Dinamo, për shembull, i ka ekipet zinxhirë.

-Si e sheh të ardhmen e futbollit shqiptar?

Nëse infrastruktura rregullohet dhe nëse do të ketë seriozitet dhe angazhim tek futbolli i fëmijëve do të ketë të ardhme. Futbolli nuk nis me ekipet e para, por me fëmijët dhe akademitë e ekipeve zinxhirë. Në këtë formë ne mund të kemi vazhdimësi edhe në ekipet përfaqësuese. Nuk mbahet skuadra kombëtare me futbollistë të gatshëm që vijnë nga jashtë. Duhet të prodhojnë vetë akademitë tona dhe përfaqësuesja e një vendi mbahet me lojtarët që prodhon vetë. Jo të gjithë mund të shkojnë në ekipin përfaqësues, por një kampionat cilësor prodhon elementë cilësorë nga ku përzgjidhen më të mirët. Por që të ndodhë kjo duhet vizion, duhet punë nga klubet e federata. Në vendet e tjera ata që drejtojnë federatat e kanë ushtruar futbollin dhe ata janë më adapt për të zbatuar projekte në të mirë të futbollit. Si shembull marr Saviçeviçin e Malit të Zi etj. Ne kemi probleme edhe në këtë drejtim, votojmë prej 20 vjetësh të njëjtin person. Një njeri i lidhur me futbollin e di më mirë se çfarë çalon, ku duhet ndërhyrë e ç’duhet bërë. Le të nisemi nga disa të dhëna konkrete që tregojnë se ne kemi humbur shumë kohë: Çfarë lojtarësh cilësorë ka prodhuar Shqipëria në këta 20 vjet? Ku janë talentet? Siç e dini talentet e fundit që ka prodhuar kampionati ynë janë ata të sistemit të kaluar, si Lala, Skela, Rraklli, Bogdani, Fortuzi etj. Kush janë emrat e mëdhenj që ka prodhuar si talente futbolli i këtyre viteve? Ja pra, s’gjen dot një emër për të qenë. Epo, prandaj duhet një kampionat cilësor, sepse prodhohen talente që i shërbejnë ekipit kombëtar në vazhdimësi.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here