Rama ndryshon Statutin e PS dhe iu dërgon mesazh klaneve në parti, Damian Gjiknuri zë vendin e kryetarit kur mbetet bosh, ka mandat 4 vjeçar, i ndërpritet për integritet moral

0
280

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje socialistëve dhe drejtuesve politikë të tyre që bashkohen në Kongresin e së shtunës të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS, kreu i mazhorancës kërkoi që të gjitha palët të marrin pjesë në debat për të ndihmuar në arritjen e marrjes së vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e partisë dhe qeverisjes. Në këtë mënyrë, Rama po tenton të shuajë mosmarrëveshjet mes grupimeve dhe klaneve brenda partisë në pushtet. “Qytetarët pa dallim të jenë bashkë. Jo për zgjedhjet, por për rrugën deri kur pastaj do të duhet përsëri të gjykojë dhe të bëjë zgjedhjet e veta. Nuk është shkrirje në një parti, por bashkim, që do të thotë përballje e një kohe të jashtëzakonshme me një rezistencë të jashtëzakonshme. Thelbi është bashkimi, jo ndarja. Në fund të kësaj fjale, unë do t’iu kërkoja të gjithë deputetëve të PS atë që i kam kërkuar organizatorëve dhe drejtuesve të paneleve në mbledhjen e fundit të kryesisë, edhe kryetarëve të bashkive që të angazhohen aktivisht gjatë gjithë ditës së kongresit. Debati të zhvillohet si një ndarje reale e shqetësimeve. Të gjithë bashkë të ndihmojnë njeri-tjetrin për të dalë tek vendimet dhe për të bërë zgjedhjet më të arsyeshme”, u shpreh Rama.
Ndryshimet statutore, nga dorëheqja e kryetarit deri te zgjedhjet e reja të brendshme
Partia Socialiste pritet të kryejë ndryshime në planin statutor dhe organizativ të partisë. Ndryshimi  më i rëndësishëm statutor është ndërprerja e mandatit të kryetarit të partisë në rastin kur ai humbet një palë zgjedhje parlamentare. Ish-kryetarit nuk i jepet e drejta të rikandidojë sërish për postin e lidershipit të PS. Në kushtet kur vendi i kreut të PS mbetet vakant si rezultat i dorëheqjes apo ndërprerjes së mandatit, vendin e tij e merr përkohësisht Sekretari i Përgjithshëm. Kjo është pika tjetër që pritet të ndryshohet në statutin e PS. Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm ndërpritet menjëherë në rastin kur ai nuk përmbush integritetin moral. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dhe që të ndërpritet mandati i kryetarëve të degëve të Partisë Socialiste në 61 bashki të vendit. Krerët e rinj të degëve do të zgjidhen në periudhën 1 maj-15 qershor 2022. Deri në 30 prill, ngarkohet Asambleja Kombëtare e PS do të duhet të organizojë rregullat, procedurat dhe procesin zgjedhor të drejtuesve lokalë socialistë.
Rikthehet Sekretariati Organizativ, zgjerohet me dy anëtarë
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama propozoi rikthimin e Sekretariatit Organizativ duke kërkuar dhe plotësimin me dy anëtarë të tjerë. “Sekretari i Përgjithshëm do të bëjë paraqitjen e të gjithë punës së bërë nga Sekretariati. Të gjithë do të raportojë për punën dhe vizionin e tyre lidhur me atë rol si dhe objektivat e tyre për të realizuar atë vizion. Gjë që do të kërkojë edhe miratimin e Kongresit ku do të shtoj se me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm e konsideroj të arsyeshme që të zgjerohet Sekretariati me dy të tjerë”, tha Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here