Partizani futet në shtëpinë e re, vihet në funksion një nga komplekset sportive më cilësore në Ballkan

0
255

Partizani është futur në shtëpinë e tij të re. Klubi nuk do të jetë më në “ajër”, sikurse ka ndodhur për shumë vite, që kur u prish kompleksi i tij i famshëm. Përkundrazi, në lindje të Tiranës, Partizani ka ndërtuar kompleksin e ri, një investim afro 10 mln dollarë, ku jo vetëm skuadra e parë por edhe moshat dhe sistemi zinxhir i klubit të Partizanit do të akomodohen dhe do të kenë kushte komode për të ushtruar veprimtarinë e tyre, për ta bërë kështu Partizanin njërin prej klubeve më të kompletuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ditën e djeshme ishte vetë presidenti i klubit, Gazment Demi, si dhe zyrtarët e tjerë të klubit që zbarkuan në kompleks dhe ndoqën stërvitjen e parë të skuadrës në kompleksin e ri. Gëzimi ishte i pamat, pasi Partizani tani nuk do të jetë “çifuti në shkretëtirë”, apo “nomadi” i futbollit shqiptar. Përkundrazi, klubi i kuq do të stërvitet në fushën e tij, do të akomodohet në hotelin e tij, do të ketë në dispozicion gjithçka i duhet një klubi modern futbolli dhe që ta themi shkoqur e mirë Partizani është klub avangardë që funksionon totalisht si klub privat dhe investimi i bërë është krejtësisht privat. Sa i takon skuadrës, me këtë kompleks ultramodern, i mbetet tashmë stafit teknik me në krye trajnerin Mehmeti dhe vetë lojtarëve të qëndrojnë në lartësinë e emrit të Partizanit.

Asnjë klub si Partizani

Tirana është skuadra që ka pasur fatin të jetë në pronësi të bashkisë dhe për këtë fakt ka pasur në dispozicion infrastrukturën e nevojshme. Kurse dy klubet elitë të kryeqytetit, Dinamo e Partizani vuajtën shumë këta dy dekadat e fundit. E nëse Dinamo ende nuk ka shtëpinë e saj (kompleksi i dikurshëm u shndërrua në park olimpik e tani aty ka selinë FSHF), Partizani i mblodhi forcat e falë Gazment Demit, investimit të tij, ka sot një shtëpi të re. Ç’është e vërteta, asnjë klub tjetër sportiv në Shqipëri nuk ka njohur lavdinë e Partizanit. Disiplina ushtarake dhe fama, por edhe kompleksi i vjetër, duken si kohë e kaluar, sepse Partizani i tanishëm është ndoshta avangardë e klubeve shqiptare për t’u përshtatur në ekonominë e tregut e madje, siç theksuam më lart, totalisht klub privat. Presidenti Gazment Demi e mori klubin vetëm si stemë, por tani, pas 8 vitesh, të kuqtë mund të krenohen se janë në majë, një punë kolosale që kurorëzohet me kompleksin e ri. I ndërtuar në Tufinë, në truallin e një reparti ushtarak, kompleksi i ri sportiv “Partizani” regjistron një etapë të re zhvillimi dhe një ridimensionim në terma sportivë për një prej klubeve ikonë të sportit shqiptar. Partizani është pra avangardë e zhvillimeve sportive dhe një hap i ri në infrastrukturën sportive private të klubeve. Qeveria dhe pushteti vendor i dhanë Partizanit leje të ndërtonte një kompleks sportiv dhe pas dy premtimeve të para madhore, që të mposhtte Tiranën e të siguronte titullin (2019), presidenti i klubit, Gazment Demi ia doli ta përmbushë premtimin më të madh të tij tek Partizani, ndërtimin e shtëpisë së re të “demave”. Këto janë fakte që lidhen me historinë e Partizanit gjatë këtyre viteve të fundit. Premtime të bërë realitet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here