Google search engine
Home Sport Rrapush Hakrama: Mund ta mbash mëri sistemin e kaluar, por për sportin...

Rrapush Hakrama: Mund ta mbash mëri sistemin e kaluar, por për sportin bëri shumë, mundja e vlerësuar dhe dinjitoze

0
426

Mundja shqiptare po bën përpjekje për të mbijetuar, në kushtet kur jo vetëm buxheti për sportet në tërësi është i pamjaftueshëm, por edhe për shkak të mungesës së të rinjve në palestrat e mundjes në të gjithë Shqipërinë. Këtë e dëshmon dhe fakti që Federata përkatëse natyralizoi si shqiptarë dy shtesa nga federata ruse që kanë mundur t’i sjellin medalje Shqipërisë nga garat e mëdha ndërkombëtare. Por çfarë ishte mundja para vitit 1990? Për këtë flasin shifrat, sepse çdo klube kishte ekipin e plotë të mundjes dhe një masivitet i tillë prodhonte patjetër edhe cilësi. Edhe pse shteti i kohës i çonte shumë rrallë në garat ndërkombëtare, mundja ka mundur të krijojë një profil të suksesshëm për kohën. Duke folur për këtë çështje, por edhe duke bërë një krahasim me situatën aktuale, ish-kampioni kombëtar dhe vendi i 6-të i Europës më 1978, Rrapush Hakrama, thotë se sistemin e kaluar mund ta mbash mëri sa të duash, por në sport ka investuar dhe sporti i asaj kohe ishte masiv. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Hakrama, i cili vetëm pak kohë më parë është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, tregon momente nga karriera e tij, por jep edhe përshtypjet e tij për situatën e sotme në mundjen shqiptare.

Kush është Rapush Hakrama?

Datëlindja: 3.5.1953

Vendlindja: Pezë e Madhe, Tiranë.

Filloi sportin në vitin 1968 në Shkodër

Nga viti 1973 deri në vitin 1982 del 9 herë kampion radhazi.

Fiton Kupën e Republikës në 9 edicione radhazi.

Në vitin 1974 fiton Spartakiadën e 3-të Kombëtare, medalje e artë.

Dekoruar nga Kuvendi Popullor me medaljen “Naim Frashëri”.

“Mjeshtër Sporti”.

“Mjeshtër i Merituar i Sportit” (1993).

“Nderi i Sportit Shqiptar”, nga MTKS (1999).

“Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës (2021).

– Para pak kohësh ju u dekoruat nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim dhe kujt ia dedikoni?

Ishte Federata Shqiptare e Mundjes që kishte bërë kërkesën tek Presidenti i Republikës që unë të vlerësohesha me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ky vlerësim vjen për shkak të kontributit tim prej një kohe të gjatë në sport, si sportit cilësor i atyre viteve, si 9-herë kampion kombëtar në mundjen klasike, si dhe vendi i 6-të në Europë në vitin 1978, që nuk ishte pak për atë kohë. Por për këtë ka meritë të veçantë edhe trajneri im, Ram Kasmi, i cili është ende gjallë, ka kontribut edhe klubi i Dinamos ku ne u formuam si sportistë dhe u lartësuam në ato nivele të larta, si dhe familja ime që më ka mbështetur vazhdimisht. Një sukses nuk vjen kurrë kur nuk ke mbështetje të tillë, prandaj meritojnë të gjithë mirënjohje. Siç thashë propozimin e bëri federata, dhe e miratoi presidenti Ilir Meta. Sa më takon mua, ndihem mirë, i respektuar, sepse mora një çmim që më takonte.

– Në komunitetin e mundjes lakohej prej kohësh emri juaj, pse me kaq vonesë një vlerësim i tillë?

Nuk ka ndonjë arsye konkrete. Vlerësimi duhej bërë më parë por kërkesa nuk u bë në kohën e duhur. Këtë titull e kishin marrë miqtë dhe shokë të mi dhe ishin pikërisht këta që më nxitën të bëj dokumentacionin. Me këtë rast dua të falënderoj miqtë e mi të hershëm që këmbëngulën më shumë si Faruk Kalleshi, Paulin Sterkaj, Seit Fishta, Iljaz Guri etj.

– Me çfarë merreni aktualisht?

Tani jam në pension. Siç e dini unë kam qenë ushtarak në Policinë Kriminale, për plot 32 vite. Ka qenë një karrierë e gjatë, e vështirë, por punën jam përpjekur ta përmbush me nder e korrektesë.

– Nga karriera juaj si mundës profesionist në stilin klasik, kë do të veçonit si rivalin tuaj më të madh?

Xhelil Cibaku ka qenë rivali im më i madh në parket. Xhelili ka qenë mundës shumë cilësor dhe rivaliteti im me të ka qenë i spikatur, shquhej në të gjithë Shqipërinë në atë kohë. Sot jemi shokë e miq të mirë. Mundja ta jep këtë kënaqësi, që edhe rivalin më të madh ta kesh shok gjatë gjithë jetës.

– A e ndiqni mundjen sot? Cila është përshtypja juaj për nivelin e saj?

Mundjen e ndjek kryesisht nga televizori. Mendoj se niveli ynë dikur ka qenë më i mirë, për të mos thënë masiviteti që prodhonte rivalitet. Megjithatë, dua të veçoj faktin se unë kam debulesë për mundjen klasike, e cila në rininë time ishte e vetmja që shkonte jashtë vendit. Mundja e lirë nuk ka qenë pasioni im. Siç thashë, mundja e tanishme nuk është më si dikur. Në atë kohë kishte më shumë pasion e sidomos në Shqipëri palestrat e mundjes ishin plot, klubet kishin masivitet e rivalitet. Ne s’kemi garuar për para, por për flamur e dinjitet. Sporti sot është i lidhur me paranë.

– Ju keni qenë sportist i Dinamos, ky klub kishte privilegje, ta themi këtë, apo jo?

Sporti i asaj kohe ishte i organizuar dhe i mbështetur, pra nxitej nga vetë shteti dhe klubet kishin shumë sportistë. Dinamo ishte klub elitar dhe kishte cilësi në të gjitha sportet. Sportistët klasifikoheshin në kategori dhe Dinamo kishte normën e saj, i trajtonte sportistët shumë mirë sidomos në aspektin e ushqimit, por edhe dinjitetit. Kur unë garoja për Dinamon klubin e drejtonte Iljaz Çeço, i cili kishte qenë sportist vetë dhe ai interesohej për gjendjen tonë, na rrinte afër ne të Dinamos. Por siç thashë ishte me kategori. Kush kapte normat trajtohej mirë.

– Si qëndronte rivaliteti në mundjen e asaj kohe?

Dinamo rivalitetin më të madh e kishte me Partizanin dhe Tiranën, që sikurse ne ishin klube të mëdha dhe kishin sportistë shumë cilësorë. Në fakt, Partizani ishte klubi më i mirë, më masiv, sepse ai mblidhte më të mirët nga e gjithë Shqipëria. Ishte ushtria që i mblidhte dhe Partizani gjithmonë ka pasur emra të mëdhenj, në çdo disiplinë. Edhe Tirana kishte mundës të mëdhenj. Megjithatë, Dinamo e atyre viteve ka qenë mirë në të dy stilet. E theksoj, Dinamo i trajtonte mirë sportistët. Klubi i trajtonte sportistët me rrogë, kishin dinjitet, trajtim ushqimor special. Një sportist mund të merrte rrogën në një ndërmarrje e atje punonte 6 orë, por dy orët e tjera paguhej nga ndërmarrja se ishte në stërvitje dhe përgatitje, plus norma ushqimore.

– A trajtohen sportistët tani si më parë?

Nuk e di si i trajtojnë tani, në aspektin financiar, por tani shumica e sportistëve ikin sepse nuk e gjejnë veten këtu. Bëhen pjesë klubeve të huaja, duan të korrin rezultat në sportet individuale dhe për këtë lidhen me klube e federata të huaja. Me pak fjalë, sportistët cilësorë largohen.

– Diferenca midis dy kohëve qëndron në masivitetin e sportit. Në rininë tuaj të gjitha klubet kishin armatë të rinjsh në çdo sport…

Kjo është shumë e vërtetë. Unë mund të flas për mundjen, e cila ishte e kompletuar në çdo peshë. Madje për një klub ishte detyrim të kishe skuadër e të përfaqësoheshe me të gjitha peshat, në të kundërt trajneri humbiste vendin e punës. Parë në këtë kuadër, rivaliteti rritej sepse kishte shumë sportistë që luftonin për vend të parë. Më thoni sa sportistë ka sot? Sa paguhen trajnerët sot për të formuar e mbajtur një ekip të plotë mundjeje?

– Si do ta përshkruanit kohën kur keni garuar në mundje?

Kanë qenë vitet më të bukura të jetës time. Aq më tepër që unë kam dalë 9-herë kampion kombëtar. Dikush mund ta shajë tani sistemin e kaluar, por ndonjëherë duhet t’i themi gjërat siç janë. Mund ta kesh inat, por foli hakun. Bëhej sport në të gjithë Shqipërinë, çdo qytet kishte klubin e tij dhe klubet ishin të organizuar mirë e kishin shumë sportistë. Në kryeqytet gjendja ishte akoma më aktive, pasi ndodheshin klubet e mëdha, ku përveç Dinamos, ishte Partizani, Tirana e Studenti. Të gjitha kishin shumësportësh të zhvilluar dhe Dinamo, siç e dini dhe ju, në shumë sporte është përfaqësuar me dinjitet në Europë.

– Cila është marrëdhënia e shoqërisë tuaj të dikurshme të mundjes?

Oh, po, ne jemi një komunitet mjaft i bashkuar. Askush madje nuk i afrohet mundjes në këtë drejtim. Na ftojnë, organizohemi, grumbullohemi, mbajmë lidhje, komuniteti i mundjes është më i avancuari në këtë drejtim. Mundja ka komunitetin më të mbledhur e më të dashur. Edhe pse dikur kishim shumë rivalitet, sot kemi respekt të ndërsjellë dhe miqësi të mëdha.

– Duke analizuar mundjen me elementët e saj, a është një sport i vështirë?

Mundja është ndër sportet më të vështira. Ja të jap një shembull: Ata që ushtrohen me peshëngritje, kanë të bëjnë me një objekt statik, pra do të përmirësojnë teknikën kundrejt një trupi apo peshe që nuk lëviz. Kurse në mundje ke përballë një trup që lëviz, inteligjent, që duhet ta analizosh, të kesh forcë, teknikë, përgatitje psikologjike, rezistencë etj. Po edhe mundja vetë me dy stilet e saj ka diferencë. Mundja e lirë kërkon më shumë forcë, kurse mundja klasike kërkon teknikë të lartë.

– Shumë njerëz kur lënë sportin i futen trajningut. Pse nuk e bëtë këtë?

E kam bërë, për tre vjet, por më pas u tërhoqa. E nisa me të rinjtë e Dinamos, por s’kisha durim. Në këtë sport duhet të kesh qetësinë e duhur, të jesh i vendosur, por unë nuk i kisha këta elementë. E bëra tre vjet me të rinjtë e Dinamos, por nuk pata sukses.

– Kush janë, sipas jush, mundësit më të mëdhenj klasikë të Shqipërisë?

Ka shumë, por unë po përmend disa. Të parin do të radhisja Abedin Lamen, më pas Dilaver Berberin, Stefan Gjeneralin, Iljaz Gurin dhe trajnerin tim Ram Kasmin, sportistin e ndershëm e të pamposhtur. Natyrisht që ka dhe të tjerë që kanë lënë gjurmë pozitive në historinë e këtij sporti në Shqipëri.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here