Skuadra e Pep Guardiolës ndodhet në vend të parë, por vetëm me një pikë më shumë, Liverpuli ndihet i motivuar për ta përmbysur
Në fundjavë do të ketë në kampionatin anglez një kryendeshje, ndoshta dueli më i rëndësishëm i sezonit në futbollin britanik, klasikja e viteve të fundit, Mançester Siti-Liverpul, ndeshje midis dy skuadrave që kryesojnë kampionatin dhe njëherësh pretendentet kryesore për titullin në Premier League. Nuk do të jetë duel i lehtë për asnjërën skuadër e trajnerët e tyre, përkundrazi, mund të rezultojë vendimtare për fatet e edicionit nëse njëra prej tyre e fiton këtë ndeshje. Kështu, Java e 32-të e Premier League rezervon një nga përballjet më të jashtëzakonshme në planet, teksa dy skuadrat kryesuese të kampionatit anglez, Mançester Siti dhe Liverpul, do të matin forcat me njëra-tjetrën, për të vendosur shumëçka në fatin e skuadrës që do të arrijë të marrë titullin kampion në Premier League. Si skuadra e Guardiolës ashtu dhe të besuarit e Klop, këtë sezon kanë zhvilluar një kampionat mbresëlënës, duke qenë vetëm 1 pikë larg njëra-tjetrës. Treshja Sterling-Mahrez-De Bryjn që këtë edicion ka shënuar plot 30 gola, do të jetë kundër tredhëmbëshit Salah-Mane-Diogo Jota, të cilët këtë edicion kanë qenë të papërmbajtshëm duke shënuar 46 gola nga 77 golat që ka shënuar e gjithë skuadra. Krahas përballjes së sulmit, nuk mund të dalë jashtë fokusit dhe dueli mes Pep Guardiolës dhe Jurgen Klop, dy prej trajnerëve më të mirë në planet, që pas betejave në Bundesliga, tani po tregojnë muskujt dhe në kampionatin më të fortë në botë. “The Reds” kanë fituar 10 ndeshje radhazi në kampionat dhe pesë të fundit pa pësuar asnjë gol, duke dëshmuar një formë të jashtëzakonshme, ndërsa në anën tjetër edhe pse City ka pasur luhatje të vogla në javët e fundit ka mbrojtjen më hermetike në kampionat, me vetëm 18 gola të pësuar në 18 javë, çka tregon për forcën që ka skuadra në prapavijë. Një ndeshje kopertinë për futbollin anglez, me dy skuadra që prodhojnë lojë, raste e gola, emocione, dhe mbi të gjitha një futboll të bukur dhe tërheqës. Një ndeshje që mund të vendosë shumë për fatin e sezonit do të luhet të dielën duke nisur nga ora 17:30 në “Etihad Stadium” të Mançesterit Sitit. Kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por një duel mes dy skuadrave më të mira të sezonit në Premier League, dy ekipeve pretendente për titullin në kampionatin anglez dhe njëherësh dy prej skuadrave që lakmojnë këtë sezon të fitojnë UEFA Champions League. Gjithçka e hapur dhe Guardiola e Klop do të kenë mundësinë të tregojnë potencialin e tyre si strategë edhe një herë tjetër përballë njëri-tjetrit.






































