Google search engine
Home Sport Dëmtimi i Gjimshitit mund të ndryshojë skemën në Kombëtare, Broja në top-13...

Dëmtimi i Gjimshitit mund të ndryshojë skemën në Kombëtare, Broja në top-13 në Angli

0
284

Lojtarët e Kombëtares po kalojnë momente të mira, por jo të gjithë. Dy ditë më parë u dëmtua në fushë mbrojtësi shqiptar i Atalantës, Berat Gjimshiti, që sipas trajnerit të tij ka nxjerrë shpatullën e natyrisht nuk mund të luajë në ndeshjet e radhës. Por këtë pritet ta verifikojnë kontrollet mjekësore. Nëse dëmtimi rezulton i rëndë, atëherë Gjimshiti rrezikon të mungojë në sfidat e qershorit në Ligën e Kombeve dhe kjo do të nxisë që tani trajneri Edi Reja të ndryshojë skemën dhe të hartojë modulin e ri taktik në prapavijë.  29-vjeçari pësoi një dëmtim dhe trajneri i ekipit zikaltër u detyrua ta zëvendësonte me danezin Joakim Maehle. Gjimshiti, i cili debutoi në Serie A pikërisht ndaj Napolit (2 maj 2016), u dëmtua në shpatull. “Nuk mendoj se do ta kemi të gatshëm Beratin për sfidën e së enjtes, atij i doli shpatulla”, deklaroi pas ndeshjes Xhian Piero Gasperini. Atalanta luan të enjten sfidën e parë çerekfinale të Europa League përballë Leipzigut. Dueli kundër nënkampionëve të Gjermanisë do të zhvillohet në “Red Bull Arena” (7 prill), ndërsa dueli i kthimit në Itali më 14 prill.

Mbrojtja mund të ristrukturohet

Mbrojtja e përfaqësueses mund të ristrukturohet në muajt në vazhdim për të qenë me një modul të ri taktik në ndeshjet zyrtare në Ligën e Kombeve në qershor. Janë edhe dy muaj deri atëherë dhe Gjimshiti mund të jetë rikuperuar, por nëse mungon gjatë këtyre javëve ai do të humbasë formën e tij dhe mund të mbetet jashtë grumbullimit të kuqezinjve. Në këtë mënyrë ndryshon krejtësisht koncepti i mbrojtjes tek trajneri Edi Reja, i cili mund të ndryshojë skemën taktike nga 5-2 në 4-4-2, pra ta bëjë mbrojtjen me katër në vijë të drejtë, duke lënë Kumbullën e Ismajlin në qendër dhe Hysajn e Balliun në krahë. Kuptohet, kjo është një hipotezë, pasi trajneri vendos rreth skemës në orët e fundit pasi ka testuar grupin gjatë grumbullimeve të Kombëtares. E sigurt është se një dëmtim afatgjatë i Gjimshitit mund të prodhojë probleme për mbrojtjen dhe Reja është i ndjeshëm për këtë.

Broja korr tjetër sukses, i 13-ti në Premier për goditjen e portës

Observatori i futbollit CIES ka publikuar ditën e sotme listën me 100 futbollistët më të mirë nën 21-vjeç, teksa pjesë e saj është bërë edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, i cili po shkëlqen këtë sezon me fanellën e Sauthempton në Premier League. CIES ka marrë në analizë të gjithë futbollistët nën 21-vjeç, që luajnë në 32 ligat më të njohura europiane dhe Broja renditet i 13-i më i mirë, në listën prej 100 lojtarësh. Lista kryesohet nga talenti anglez i Arsenalit, Bukayo Saka, për të cilin nënvizohet se aftësia kryesore është ajo e të depërtuarit në zonat kundërshtare nëpërmjet dy armëve më të forta si shpejtësia dhe teknika. Nga ana tjetër, profili i Brojës përshkruhet si një “shënjestrues i portës”, duke evidentuar cilësinë më të mirë të shqiptarit, aftësinë për të goditur portën dhe për të shënuar gola. Ky është një tjetër vlerësim për sulmuesin shqiptar, që ka tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha sportive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here