Deputeti i PS, Erion Braçe ka folur sa i përket kongresit të Partisë Socialiste që do të mbahet në datën 9 prill. Me anë të postimi në rrjetet sociale, ai ftoi të gjithë delegatët socialistë të Kongresit që vijnë nga zonat rurale që të mblidhen në panelin e bujqësisë dhe të blegtorisë.“Kongresi i Partisë Socialiste. Të thyejmë rutinën. Të flasim për njerëzit, për bujqit! Kam një lutje për të gjithë delegatët socialistë të Kongresit që vijnë nga zonat rurale, nga fshati: Të mblidhemi të gjithë në panelin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Kongresi është organizuar kështu për ti dhënë mundësi kujtdo të flasë, të thotë të vërtetën, atë që mendon e jeton edhe si bujk e blegtor”, tha ai. Deputeti i PS, Erion Braçe u shpreh se në kongres do të flitet për hallet, problemet dhe shqetësimet. Ai theksoi, se të gjitha duhet që të thuhen në kongres.“Kongresi është organizuar që të dëshmoj për hallet, problemet, shqetësimet, dështimet, pagesat, të ardhurat; të thotë i del apo jo të punoj si bujk a si blegtor. Të thotë të tijën për zgjidhjet që favorizojnë bujqit e blegtorët, prodhimin vendas kaq jetik në mes të krizës! Duhet ti themi këto!”, tha ai. Ndër të tjera, Braçe ka ftuar delegatët nga Berati, Kuçova, Lushnja e Saranda, që të bëhen pjesë.“Të shtunën është një nga ditët e mira për ta bërë këtë. Ndaj, nëse je delegat i Beratit, Kuçovës, Urës, Lushnjes, Divjakës, Patosit, Roskovecit, Fierit, Sarandës, Delvinës, Finiqit, Korçës, Devollit, Pogradecit, Dumresë, Shkodrës e Nënshkodrës, Lezhës e Zadrimës, Dibrës etj; Eja në panelin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Të themi të vërtetën e bujqve e blegtorëve që na kanë mbështetur si pak kush deri tani; të ndryshojmë për bujqit tani nëse nuk duam të jemi jashtë fshatit shumë shpejt”, tha ai.






































