Pas dorëheqjes një ditë më parë nga mandati i deputetit dhe pas miratimit të sotëm të GJKKO se SPAK ta arrestoje, Alqi Bllako është arrestuar në banesën e tij.
Ai do të dërgohet në Drejtorin e Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij Sokol Hazizaj.
Dy ditë më parë SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Bllakos, teksa të mërkurën pasdite ai dorëzoi mandatin e deputetit në Kuvend. Në mbrëmje, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i dërgoi shkresën kreut të SPAK Arben Kraja, ku e informonte për mbarimin e mandatit të deputetit për Bllakon, çka i hapi rrugë arrestimit të tij.
Sot SPAK dërgoi në GJKKO kërkesën për arrestimin e Alqi Bllakos i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.






































