Muzeu Historik Kombëtar zhvillon projekte të ndryshme, ku në qendër të tyre janë dhe fëmijët. MHK bëri dje me dije se në këtë institucion rinisi projekti “Udhëtim i prekshëm”. MHK shprehet se ky projekt lejon fëmijët me probleme shikimi të prekin objektet e muzeut. Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, organizuan dhe aktivitetin me titull “Udhëtim i prekshëm”. Aktiviteti konsistoi në vizitën e planifikuar në Muzeun Historik Kombëtar nga ana e nxënësve më aftësi të kufizuar në shikim. Fëmijët e institutit “Ramazan Kabashi”, mundën të prekin objekte origjinale të ekspozuara në muze. Objektet e paracaktuara për t’u prekur ishin të siguruara, fiksuara dhe të sigurta nga dëmtime të mundshme. Muzeu Historik Kombëtar shprehet se është mikpritës, i ngrohtë e gjithëpërfshirës, i arritshëm dhe pozitiv për njerëzit me aftësi të kufizuara, për ta vizituar dhe për të punuar në të. Ky projekt vjen në vijim dhe të atyre që janë zhvilluar më parë për fëmijët në MHK. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve.








































