Google search engine
Home Aktualitet Josif Papagjoni: Produkti teatror “vdes” shpejt, shfaqja s’ka mjetet financiare për të...

Josif Papagjoni: Produkti teatror “vdes” shpejt, shfaqja s’ka mjetet financiare për të qarkulluar në qytete të ndryshme, drama shqipe ka vite që lëngon

0
289

Teatri u dëmtua rëndë nga pandemia, por problemet nuk kanë munguar dhe më parë në aktivitetin artistik. Studiuesi dhe kritiku i artit Josif  Papagjoni thotë se teatri më shumë se gjithë artet e tjerë u dëmtua më rëndë nga pandemia, sepse ai është një art publik që kërkon njerëz që reagojnë njëzëri nga ajo çka ngjet në skenë. Në intervistën për gazetën “SOT” prof. Papagjoni shprehet për zhvillimin e teatrit në vendin tonë, çfarë ndodh me dramën shqipe apo me regjisurën. Ai thotë se menaxhimi i produktit teatror mbetet problemi kryesor, sepse shfaqja s’ka mjetet financiare për të qarkulluar në qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, veç diku në ndonjë festival. Me kritika studiuesi Papagjoni shprehet dhe për Ministrinë e Kulturës për çfarë ndodhi me thirrjet e projekteve këtë vit. Sipas tij, arti dhe kultura nuk mund të jetë te prioriteti i tretë.

-Jemi në muajin e teatrit, në 27 mars Dita Botërore e Teatrit. Si e keni parë zhvillimin e teatrit tonë vitet e fundit dhe si ndikoi pandemia?

Teatri është një “festë” në vetvete, paçka se ka dhe festën e tij, 27 marsin. Me pak shaka, kësaj i thonë: “Festë në festë”. Ndërsa zemërtrishtuar pyet: “A ka pasur festë teatri në kohë sëmundjesh, ligatinash, pandemie, kur njerëzit, të trembur për vdekje, i largoheshin atij nga frika e infektimit, varret e hapur, heshtja e qyteteve, sikur skena dhe aktorët të qenë një spital i madh, vetë “kolera”?!” Dhe këtu nis paradoksi. Absurdi. Teatri këta dy vjet e humbi festën e vet, por humbi edhe “festën” për publikun e tij, humbi ndezullitë estetike, mendjemprehtësinë, gazmendin apo lotin e trishtë. Teatri, më shumë se gjithë artet e tjerë, u dëmtua më rëndë nga pandemia, sepse ai është një art publik që kërkon të tubohen brinjë më brinjë, në një sallë 100, 200 a 600 vetë, njerëz që reagojnë njëzëri nga ajo çka ngjet në skenë. Dhe, pra, duke ia cënuar thelbin e perceptimit si një perceptim kolektiv, në grup, sikurse edhe thelbin e krijimit si një krijim po në grup, vetiu teatrit iu kufizua tmerrësisht qielli i vet. U kthye në një vend frike, nga një vend gëzimi e kënaqësie. Por ashtu, sfidantë dhe kokëkrisur siç artistët janë, u përgatitën disa shfaqje, pikërisht frymë më frymë te njëri-tjetri, dhe prandaj teatri nuk vdiq. Përkundrazi, frymoi. I intubuar ndoshta, por frymoi. Edhe ne, spektatorët e tij, frymuam bri artistëve tanë. Unë vetë kaq herë kam parë shfaqje në Shqipëri e Kosovë, me maskë në fytyrë, doemos një karrige larg tjetrit. Dhe habitem, ç’dreq pasioni qenka ky, ç’dreq sfide qenka kjo, duke shpotitur a mos e çarë kokën ndaj një infektimi të mundshëm, ndaj vetë vdekjes? Kur unë them kështu, pa mendoni artistët gjatë provave, që as kanë ditur ç’janë “distancat”, por kanë qenë pranë e pranë fizikisht, kanë frymuar së toku, janë kollitur, janë përqafuar, madje kur shfaqja e ka dashur, edhe janë puthur. Si mund ta quani ju këtë? Vetëm sfidë? Vetëm shpirti marrok i aktorit na qenka ky?! Vetëm pasion, çartje?! Apo dhe një guxim i paparë, që sfidon vetë vdekjen për hir të artit dhe publikut. Ja, kjo ide s’më hiqet nga mendja. Dhe dua të gërthas fort: Të pamort qofshi ju, aktorët shqiptarë, që edhe në ditë të zeza sollët pak dritë, lumturi e kënaqësi për popullin tuaj! Jo kushdo e ka bërë dhe e bën këtë! Mbaj mend në festivalin e Dibrës së Madhe, atë të Show Case në Prishtinë, festivalin De Art në Fier, “Kokofest” në Korçë apo shfaqje të shumta në Tiranë, që herë me pak aktorë e herë me shumë, publiku gjithsesi e ka dhënë duartrokitjen e vet dyfish: për artin e tyre dhe për aktin moral, për guximin që t’u jepnin njerëzve pak dritë optimizmi  frikën që pllakosi vendin.

-Vazhdon të pohohet nga artistë të ndryshëm mungesa e dramës shqipe në skena. Çfarë po ndodh?

Drama shqipe lëngon. Ka vite e vite. Vështirë t’i qasesh asaj. Cili është fajtori: cilësia e dramave të ofruara, politikat teatrore të repertorit, regjisura, klima e krijuar ndaj saj? Cila? Pak nga të gjitha, sigurisht. Por unë gjykoj se qëndrimi opak i regjisorëve është shkaku kryesor pse drama shqipe është e refuzuar në skenat tona, ose më butë, jo e pëlqyer. Këta dy vjet, veç Stefan Çapalikut në Tiranë dhe Jeton Nezirajt në Prishtinë, drama dhe autorë të tjerë nuk më kanë mbresuar aq fort. Kanë shkruar dhe Haqif Mulliqi, Fadil Hysaj, Ferdinand Hysi, Ridvan Dibra. Por duhet pohuar me keqardhje se drama ndodhet diku në një kioskë a grazhd ku stivohen sendet e vjetra, “zairetë e dimrit”, ca më keq gjëra jashtë përdorimit. Unë këmbëngul që mungesa e dramës shqipe është më shumë frika që regjisorët kanë prej saj, domethënë frika e një dështimi. Sepse drama është gjini letrare specifike, e paracaktuar për skenë dhe vetëm skena e “mat” sa ajo është ose jo e përshtatshme për të, sa është e suksesshme e me një strukturë të atillë që t’i përgjigjet teatrit. Dhe kjo kërkon një bashkëpunim aktiv midis autorit dhe regjisorit, përshtatjen e tekstit të shkruar gjithnjë e më mirë gjegjësisht skenës, aktorëve, konceptit regjisorial. Andaj dhe një tekst i ri dramatik verifikohet dhe merr jetë vetëm në skenë, në alternimin e përfytyrimit letrar të dramaturgut me përfytyrimin teatror të regjisorit. Pikërisht kjo s’bëhet. Ose regjisori ka frikën e një dështimi, i mungon aftësia e bashkëpunimit dhe e marrjes së riskut përsipër, ose dramaturgu nuk heq dorë nga klishetë letrare, për më keq, kur shkruan tekst për letërsi jo tekst për skenë. Bie fjala, Fadil Hysaj është regjisor i mirënjohur, por edhe dramaturg. Dhe drama e tij “Shkamat” konceptohet qysh në kryeherë si tekst për skenë, edhe pse dy personazhe janë kryesorët në dialog. Po e njëjta gjë ndodh edhe me tekstet e Jeton Neziraj, ku do të veçoja “Pesë stinët e Armikut të Popullit”, frymëzuar nga drama e njohur e Ibsenit, por i ndërtuar me parimin postmodern të risemantizimit të tekstit të hershëm. Stefan Çapaliku nuk është thjesht dramaturg, por edhe regjisor i teksteve të veta, sepse me kohë ka fituar përvojë edhe si regjisor, andaj dhe dramat e tij e kanë të paradhënë elementin teatror brenda kurmit të tekstit qysh në përfytyrim. Kjo ka ndodhur edhe me diadramën e tij të fundme “Pesë ditë mbret”. Nga regjisorët që ka një përkushtim të brendshëm e të përhershëm ndaj dramës shqipe veçohet Milto Kutali, i cili ka vënë në skenë mjaft drama shqipe.

-Ju jeni shprehur se në vendin tonë menaxhimi i produktit teatror është një nga problemet më të mëdha, që ne kemi me teatrin. Çfarë ka sjellë kjo?

Po, menaxhimi i produktit teatror mbetet kryesor. Pse? Sepse ky produkt vdes shpejt, jepet 5, 10, ja dhe 20 herë në një skenë ku është kontraktuar shfaqja dhe vdes. Shfaqja s’ka mjetet financiare për të qarkulluar në qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, veç diku në ndonjë festival herë te ky qytet e herë te qyteti tjetër. Nuk e di se si mund të bëhet efektive ky qarkullim i trupave dhe shfaqjeve nga njëra skenë në tjetrën, si mund të funksionojnë rrjetet e teatrove, ç’mjete mund të përdoren, filluar nga Ministria e Kulturës dhe gjer te dyert e bashkive, financime e projekte konkrete, përfshirë dhe lehtësitë fiskale që lipsen aplikuar në kësi rastesh. Ka një përvojë të mirë, ende në fillesa, me bashkinë e Fierit që ka ngritur dhe po mbështet një rrjet teatrosh shqiptare, gjegjësisht përvojës së ardhur nga rajoni i Pulias në Itali. Por nisma të tilla lipset të ndërmerren edhe nga bashkitë e tjera, sidomos ato më të mëdhatë, që mbështesin teatrin. Pastaj këtu duhet marrë në konsideratë edhe regjistrimi i shfaqjeve për televizionet e ndryshme, ndofta hedhjet në YouTube a diku gjetkë, ku përpunohen dhe transmetohen imazhet. Ka dhe një faktor negativ: varfëria. Jo rrallë shfaqjet jepen falas, pa bileta ose në kuadër festivalesh, takimesh etj. Biletat janë me çmim shumë të ulët. Sakaq, auditori më i madh dhe më i mundshëm, shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, gjer dhe universitetet, nuk shfrytëzohen. Mirëpo programet shkollore kanë ndër të tjera, edhe njohje me dramaturgjinë dhe teatrin, pra është një spektator i garantuar ky nëse punohet me plane të detajuara dhe koordinime projektesh midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës, përfshi trupat teatrore dhe bashkitë.

 – Sa problem është regjia në teatrin në vendin tonë?

Regjia është kryesorja në teatër, nëse për një çast problemet financiare i hamendësojmë të zgjidhura. Këta 30 vjet regjia jonë ka bërë goxha përpara në mjetet shprehëse, format teatrore, modelimet, shprehësitë, përvojat bashkëkohore që janë aplikuar nga teatri botëror, gjer ai postmodern. Mua me duket se disa regjisorë të sotëm siç janë Altin Basha, Hervin Çuli, Memet Xhelili, Spiro Duni, etj, i kanë tejkaluar “baballarët” e tyre të dikurshëm. Një brez tjetër regjisorësh janë ravijëzuar sakaq, ku spikat Driada Dervishi me shfaqjet e saj mbresëlënëse, plot gëzim dhe gjetje të bukura, si “Martesa”, “Revizori”, “Ferma e kafshëve”, etj.

-Ministria e Kulturës te projektet që financon këtë vit të skenës së pavarur pra që nuk kanë lidhje me institucionet, prioritet të tretë shprehej promovimi i artit dhe kulturës përmes aktiviteteve. Ju si e gjykoni këtë?

Prioritet i tretë?!…Hej, çfarë mendësie gëlon nëpër zyra shteti?! Po së paku mos ta shpallin kësisoj, se është turp. Kot, për kureshtje, po prioriteti i parë kush është? Gjumi? Paaftësia? Shpërfillja? Po si mund të lihet arti më publik, që grumbullon spektatorë dhe, ç’është kryesorja, edhe i edukon ata (jo thjesht i gicilon) me tekste shijeholla, të cilët përcjellin përvoja humanitare e shpirtërore të një cilësie të epërme – si mund të lihet në hije? Unë i dua dhe i vlerësoj gjithë artet, por teatri mbetet përherë një art publik, masiv, me impakte të jashtëzakonshme te njerëzit.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here