Gazetari Artan Hoxha zbuloi mbrëmjen e djeshme se ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u lirua gjatë ditës së djeshme nga qelitë e burgut të Fierit dhe u kthye pranë familjes se tij. Gjykata e rrethit gjyqësor Fier, e miratoi kërkesën e Çelës, për te përfituar lirimin me kusht nga burgu, pasi kishte vuajtur me shume se 2/3 e dënimit. Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dënoi Çelen, me vendim te formës se prere me date 4 shkurt 2022 sëbashku me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Burime ekskluzive për gazetarin e ABC, Artan Hoxha thonë se kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ku Jaeld Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Çela, ju shmang drejtësisë për dy vite e gjysmë
Prokuroria e Krimeve te Renda lëshoi një urdhër-arresti për ish drejtorin e policisë se Vlorës me date 22 nëntor 2017. Policia nuk mundi ta arrestonte Çelën, pasi ai nuk u gjet ne banesë, ndërsa u tha se ishte larguar jashtë vendit. Çela, ju shmang drejtësisë për më shumë se dy vite e gjysmë. Gjate kësaj kohe, çdo përpjekje për arrestimin e tij, dështoi. Ish-drejtuesi i policisë së Vlorës vendosi te dorëzohej vullnetarisht në drejtorinë e policisë së Tiranës me 16 maj 2020. Nga ajo dite, Çela ka qëndruar ne burg, deri mesditën e sotme, kur u lirua me kusht pas një vendimi te gjykatës se Fierit. Drejtuesi i lartë i policisë, ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Për këtë shkak, lirimi i tij u gjykua nga gjykata e Fierit, nën juridiksionin e secilës është burgu i këtij qyteti.
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës kishte vuajtur 2/3 e dënimit
Gjykata speciale e kishte dënuar Çelen me 40 muaj burg. Por duke përfituar nga masa e sigurisë me burg, ku gjatë paraburgimit një dite qëndrimi në izolim, llogaritet si një dite e gjysmë burg, rezultoi se ai i kishte kryer tashmë 2/3 e dënimit dhe mund te përfitonte liri me kusht. Aktualisht Çela kishte kryer 30 muaj burg dhe i kishin mbetur ende 10 muaj të tjerë në izolim. Por për shkak të sjelljes korrekte në burg dhe vuajtjes të me shumë se 2/3 e dënimit, gjykata vlerësoi se Jaeld Çela duhet të kthehet pranë familjes, ndërkohë që do të mbikëqyret nga drejtoria e Shërbimit te Provës. Jaeld Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori 2014, deri në prill të 2017-s. Ndërsa më parë ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, si dhe ka shërbyer për me shumë se 17 vite në radhët e Policisë së Shtetit. Jaeld Çela u emërua në krye të Policisë së Vlorës, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Ndërkohe, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, vazhdon të vuajë dënimin me 40 muaj burg, ne Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Fier. Si Tahiri ashtu dhe Çela, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkojnë pafajësi për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Çështja e tyre ende nuk është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Kujtojmë që Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg në 4 shkurt të këtij viti, dhe u ndalua në sallën e gjyqit, pas vendimit nga gjyqtarët.









































