Ish-kryeministrin Sali Berisha duket se presin ditë të vështira. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri ditën e djeshme me dije se mazhoranca do të dërgojë një tjetër kallëzim penal lidhur me aferën CEZ-DIA, çështje e nisur prej gati 7 vitesh, në të cilin është i përfshirë edhe ish-shefi i qeverisë shqiptare. Në një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, zyrtari i lartë socialist theksoi se ka informacione të reja lidhur me një nga aferat më korruptive në historinë e shtetit shqiptar. “Do bëjmë kallëzim penal të ri për skandalin e CEZ-DIA, kanë dalë gjëra të reja. Askush nuk mund të mbesë i padënuar për krimet që ka bërë”, u shpreh fillimisht Taulant Balla. Më tej, eksponenti i lartë i PS deklaroi se dy kallëzimet e tij për aferën CEZ-DIA dhe privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, për të cilat është paditur ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me familjarë dhe ish-bashkëpunëtorë të tij, janë regjistruar si procedim penal. Balla pranoi se mori informacionin nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja. Ai shtoi se për çështjen CEZ-DIA është regjistruar një tjetër kallëzim nga një qytetar. “Kam marrë përgjigje për dy çështje që kam kërkuar. Kam depozituar dy kërkesa, një Prokurorit të Përgjithshëm, për kallëzimin penal të vjeshtës 2020 në ngarkim të disa shtetasve ndër ta edhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Për këtë kam marrë përgjigje, kur jam informuar nga zoti Kraja, se për këtë çështje është regjistruar procedim penal dhe që unë që kam bërë kallëzimin më thërrasin për të thënë gjithçka di. Ndërkohë, jam informuar se ka pasur kallëzim tjetër nga një qytetar për sa i përket aferës së CEZ e cila mbetet një prej aferave më të rënda në financat e vet që është dashur të hetohet”, vazhdoi më tej Balla.
PS dorëzon prova të reja në SPAK
Por gazeta ka mësuar bëhet fjalë për prova të reja të cila sipas Ballës faktojnë aferën korruptive të ish-qeverisë Berisha me marrëveshjet në dëm të buxhetit të shtetit teksa CEZ-DIA do të mblidhnin borxhet e pashlyera të qytetarëve për energjinë elektrike. Ndërkohë për aferën CEZ-DIA, për të cilën PS nisi betejën ligjore në drejtësi që në vitin 2015, Balla paralajmëroi se çdo person i implikuar në këtë aferë korruptive do të dënohet nga ligji, duke nënkuptuar dhe ish-kryeministrin Berisha. “Për mua personalisht, që e kam drejtuar atë komision, ka qenë e qartë çështja për çfarë bëhet fjalë. Kush ka ngjyer gjithë trupin në atë çështje, nuk shpëton dot”, përfundoi fjalën e tij për dy çështjet e sipërpërmendura Taulant Balla.
Reagon juristi Romeo Kara: Edhe Meta është i përfshirë
Megjithatë, përveç Berishës, ndër emrat publikë të akuzuar se ka pasur gisht në këtë mes është presidenti Ilir Meta. Pakti me DIA u firmos kur Meta ishte ministër i Ekonomisë. Ai që ka dijeni totale për këtë çështje është ish-juristi i OSHEE, Romeo Kara. Ky i fundit zbuloi batërdinë që është bërë dhe publikoi skandalet. Ndërsa dje në një prononcim gazetën “SOT” ai shprehet se nga rihetimi i kësaj dosje padyshim që më i rrezikuar është presidenti Meta. Kara ka treguar rolin e Metës dhe lidhjet e tij me Ismailajn. Po ashtu Kara ka folur dhe për një moment të dyshimtë, pasi sipas tij, një ndër protagonistët e aferës, ish-ambasadori Qazim Tepshi, dyshohet se është helmuar. Nga ana tjetër, ka treguar se Meta ka përfituar shumë para nga Ismaili. Sipas juristit, presidenti e ka kuptuar se po e humb pushtetin që ka në drejtësi dhe prandaj ka nisur sulmet. Sipas tij, nëse hetohet si duhet skandali i CEZ, atëherë do shkojnë pas hekurave shumë zyrtarë të lartë, përfshirë dhe presidentin Meta. “Patjetër që Ismailaj ka qenë njeri i besuar i Metës. Po të investigohet siç duhet, do të kuptojmë se çështja DIA ka ndikuar edhe në konfliktin Meta-Prifti dhe dëshirën e Metës për të zëvendësuar Priftin si ministër i METE-s. Edhe vetë Priftit i janë premtuar disa përqindje tek kjo aferë, të cilat ai ia delegoi një miku të tij deputet, në mënyrë që ta konfrontonte me Metën dhe Ismailajn, pasi ata e nxorën nga loja”, deklaroi ai.
Juristi: sh-ambasadori Qazim Tepshi, dyshohet se është helmuar
Po ashtu Kara ka folur dhe për një moment të dyshimtë, pasi sipas tij, një ndër protagonistët e aferës, ish-ambasadori Qazim Tepshi, dyshohet se është helmuar. Nga ana tjetër, ka treguar se Meta ka përfituar shumë para nga Ismaili. Sipas juristit, presidenti e ka kuptuar se po e humb pushtetin që ka në drejtësi dhe prandaj ka nisur sulmet. Sipas tij, nëse hetohet si duhet skandali i CEZ, atëherë do shkojnë pas hekurave shumë zyrtarë të lartë, përfshirë dhe presidentin Meta. “Është e shkruar e zeza mbi të bardhë që ishte vetë ish-ambasadori ynë në Pragë, Qazim Tepshi, personi i cili në emër të Metës ka prezantuar Ismailajn tek stafi menaxhuese i CEZ-it, si njeri të afërt të Metës dhe Berishës. Edhe Qazim Tepshit iu premtuan disa përqindje nga kjo aferë, por u mashtrua nga dyshja Meta-Ismailaj. Është shumë e dyshimtë vdekja e Qazim Tepshit, pikërisht pasi ka pirë kafe përballë LSI-së me një njeri të afërt të Metës. Konvulsionet që ai ka shfaqur pak përpara se të ndërronte jetë, lënë mjaft vend për dyshime helmimi, sidomos me striknine. Edhe sot mund të bëhet një investigim i vdekjes së tij, pasi është mjaft e dyshimtë dhe mjaft e përfolur. Ditën e varrimit të tij, deputetë të vetë LSI-së i kanë thënë familjareve të Qazimit që na e vranë Qazimin. Kuptohet që frika bën të veten, besimi tek drejtësia është zero, prandaj askush nuk ka mundur t’i hyjë këtij investigimi. Ismailaj dhe Meta kanë bërë një vizitë sëbashku në Pragë në fund të vitit 2010, ku janë takuar vetëm ata të dy, me dy ish-drejtuesit më të lartë të CEZ-it atje. Prania e ish-ambasadorit Tepshi është shmangur me anë të një aksidenti me makinë. Pak pas këtij takimi, ERE merr një vendim kriminal, për uljen e blerjes së çmimit të energjisë elektrike nga CEZ-i prej KESH-it, duke rënduar dhjetëra milionë euro buxhetin e shtetit”, nënvizoi juristi Romeo Kara për gazetën “SOT”.
Ja disa detaje nga skandali CEZ-DIA
Afera korruptive CEZ-DIA konsiderohet një skandalet më të rënda ekonomike në historinë e shtetit shqiptar, ku në qendër të akuzave janë ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministrat Ridvan Bode, Florion Mima dhe Genc Ruli së bashku me shumë drejtorë të tjerë. Zanafilla e tij gjendet në vitin 2009 kur qeveria e kohës e kryesuar nga Berisha miratoi shitjen e 75% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë elektrike te konglomerati i kompanive çeke të prodhimit, shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike CEZ. Firmosja e kontratës së transferimit të aksioneve të OSSHE te CEZ u kontestua që në fillim për shkak të parregullsive ligjore. Në 7 korrik 2010 u krijua kompania e grumbullimit të borxheve dhe detyrimeve të prapambetura financiare “Debt International Advisory” (DIA) nga biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj në Ishujt Britanikë të Virxhinias. Kjo kompani do të ndihmonte CEZ-in të grumbullonte detyrimet e pashlyera financiare të energjisë elektrike. Bashkëpunimi mes tyre u konkretizua në shtator të vitit 2010. Këtu historia CEZ-DIA kthehet në skandal publik pasi u konstatua se Ismailaj përdori dokumente të falsifikuara për të siguruar bashkëpunimin me CEZ-in, madje u vërtetua se kompania e krijuar prej tij nuk ushtronte aktivitet, duke rezultuar një mashtrim. Skandali mori përmasa serioze pasi CEZ paguante rreth 500 mijë euro në muaj DIA-s për shërbimet e kryera dhe Ismailaj transferonte paratë për t’i fshehur më pas. Më vonë, drejtësia zbuloi se bashkëpunimi CEZ-DIA nuk kishte për qëllim grumbullimin e borxhit të krijuar nga CEZ për energjinë e papaguar, por rezultoi një aferë korruptive në dëm të tij, ku të implikuar ishin dhe zyrtarë të lartë.
Privatizimi i kompleksit “Partizani”
Një tjetër çështje serioze për të cilën PS akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha është privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani”. Në padinë e dërguar në SPAK në 17 nëntor 2020, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla denoncoi Berishën së bashku dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se ky privatizim është korruptiv me qëllim kryerjen e pastrimit të parave të pista. Në 8 mars 2022, SPAK iu përgjigj kërkesës së Ballës për kallëzimin e 17 nëntorit 2020 se çështja është nën hetim. Kompleksi “Partizani” u ble për 100 mijë euro dhe në sipërfaqen e blerë prej 10 mijë m2 janë ndërtuar 17 kulla. Vlera blerjes së truallit të këtij kompleksi ngjalli dyshime për parregullsi ligjore dhe korrupsion.






































