Trajneri i Kombëtares Edi Reja ka ftuar për herë të parë në këtë periudhë në ekipin kombëtar disa elementë të rinj, si pjesë e projektit të tij për të krijuar një skuadër kompetitive për Euro-2024, pra për të rinuar krejtësisht grupin e tashmë Shqipëria është një prej përfaqësueseve me moshë më të re në Europë. Në listën e lojtarëve të ftuar për herë të parë është dhe mbrojtësi Adrian Bajrami, i cili është shprehur se zgjodhi të ishte pjesë e ekipit “kuqezi” dhe jo e përfaqësueses së Zvicrës, sepse ai është shqiptar. Duke folur në konferencën për mediet përpara ndeshjes miqësore me Spanjën, që do të luhet më 26 mars në orën 19:45 në “RCDE” të Barcelonës, Bajrami tha se shpreson të luajë si kuqezi. “Jam shumë, shumë i lumtur të jem pjesë e Kombëtares. Shpresoj të ambientohem sa më shpejt dhe të arrijmë te ndeshja. Zvicra? Unë jam shqiptar. Jam lindur dhe rritur në Zvicër kam kaluar shumë vite me futbollin në Zvicër, pastaj kalova te Benfika, por unë ndihem shqiptar”, tha ai. Më pas djaloshi Bajrami komentoi si ishte stërvitja e parë si kuqezi, apo dhe idhujt e tij në përfaqësuese. “Berat Gjimshiti dhe Kumbulla, të gjithë janë shumë të mirë. Dita e parë ishte shumë e mirë për mua,mendova se do ishte më e vështirë por nuk ishte,por ka lojtarë si Lenjani dhe Gjimshiti që më afruan shumë dhe shpresoj të ndihem dhe më mirë. Rreth debutimit tim mund të them se shpresoj, unë jam gati, jam në formë. Kam luajtur gjithmonë me Benfikën jam kapiteni i ekipit tim, jam gati”, shtoi mbrojtësi. I pyetur për praninë e tij tek Benfika dhe për një mundësi kalimi në Itali, djaloshi kuqezi u shpreh: “Është kënaqësi e madhe të luash për një klub si Benfika, kam mësuar shumë aty, jam rritur si person, si futbollist me kalimin e kohës do shohim çfarë do ndodhi. Italia opsion? Mund të jetë, por për momentin jam fokusuar te Benfika dhe te karriera ime aty, do shohim çfarë do ndodhi”, nënvizoi ai. Në fund Bajrami foli për pritshmëritë nga këto takime dhe një premtim për tifozët kuqezinj. “Shpresojmë që do vini dhe të na mbështetni sepse do të japim maksimumin për Shqipërinë”, theksoi djaloshi më i ri i afruar nga trajneri Edi Reja në Kombëtare. Stërvitja e Kombëtares Shqipëria zhvilloi seancën e dytë stërvitore në vigjilje të ndeshjes së datës 26 mars ndaj Spanjës në stadiumin e Espaniol. Grupi i futbollistëve është i plotë dhe ka kryer stërvitje të plotë, ndryshe nga dita e kaluar ku disa prej lojtarëve bënë stërvitje të diferencuar për shkak të minutave që kanë pasur me skuad rat respektive. Ndërkaq, në dyshim mbetet Amir Abrashi pasi lojtari që aktivizohet me Grasshopper në Zvicër ka pësuar një dëmtim edhe ende është në dyshim nëse do t’i bashkohet grumbullimit. Sakaq, kompleksi ku po stërviten kuqezinjtë është një nga më të famshmit në zonën e Katalonjës, teksa dallohet për cilësinë e fushës, madje bari përdoret edhe në stadiumin e “Mestallës” ku luan Valencia apo edhe në Cornella El Prat. Kujtojmë se kombëtarja do të zbresë në fushë edhe në datën 29 mars, këtë herë në Shqipëri ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”. Për momentin gjithçka po shkon sipas parashikimeve të trajnerit Edi Reja.






































