Teatri Kombëtar solli në skenë për publikun komedinë “Edmond”. Kjo shfaqje u mirëprit nga publiku dhe teatri shprehet se do të jetë sërish edhe në datat 24, 25, 26 dhe 27 mars. ““Edmond” një sukses i vërtetë. Falenderojmë publikun që mbushi sallën plot dhe na ndoqi”, thuhet ndër të tjera nga TK për shfaqjen, që është te salla e madhe “ArTurbina”. Vepra e Alexis Michalik, nën drejtimin e regjisorëve Indrit Çobani dhe Andia Xhunga ishte në skenë më 18, 19 dhe 20 mars. Në role janë Lulzim Zeqja, Vasjan Lami, Helidon Fino, Luli Bitri, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Arben Derhemi, Flaura Kureta, Myzafer Zifla, Genci Fuga, Ina Gjonçi, Besmir Bitraku dhe Genti Deçka. Balerinë Aneda Lusha, Elda Matmuja, Endri Koçeku, Serena Çerpja, Stiv Osmenaj. Vepra është përkthyer nga Nasi Lera, skenografia Genc Shkodrani, kostumografia Laedia Hajdari, kompozitor Endri Sina, koreografe Kozeta Bakiu, piktore grimi Bebeka Alla. Historia argëtuese dhe plot peripeci se si Edmond Rostand shkruajti kryeveprën e tij “Sirano dë Berzhërak” vjen me 13 aktorë, 35 personazhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTuribna. Edmond Rostand një dramaturg i ri, 29 vjeçar, ka dy vjet pa shkruar asgjë…Mes nevojës për të fituar para për të rritur dy fëmijët e tij dhe kësaj gjendje krijuese dëshpëruese, Edmond merr një ftesë bashkëpunimi nga aktori më i famshëm i Francës, Constant Coquelin (Konstant Koklën). Edmond i premton Coquelin-it rolin kryesor në një komedi heroike në vargje, premiera e së cilës do të jetë pas 3 javësh, në prag të festave të fundvitit… Por ka vetëm një problem të vogël: Komedia nuk është shkruar ende…Mes ankthit të komedisë që duhet shkruar për tri javë, tekave të aktorëve, kërkesave të producentëve Korsikanë të shfaqjes, xhelozisë e gruas, historisë së zemrës së mikut të tij më të mirë dhe mungesës së entuziazmit të të gjithë atyre që e rrethojnë, Edmond fillon të shkruajë këtë pjesë të cilën askush nuk e beson. Tani për tani, ai ka vetëm një gjë ku mbështet fort, titullin “Sirano dë Bërzherak.









































