“Celulë seksuale” titullohet komedia, që shënon premierën mbrëmjen e së enjtes në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”. Producente Shegushe Bebeti, në veprën me regji nga Donard Hasani në role janë një kast aktorësh të vlerësuar nga publiku deri tani në aktivitetin e tyre artistik. Shfaqja teatrore shënon premierën mbrëmjen e datës 24 mars për të vijuar dhe net të tjera. Komedia “Celulë seksuale” është cilësuar nga autorja e saj A. Longaretti si komedi e hidhur. Në vepër interpretojnë Naum Shundi, Shegushe Bebeti, Delinda Disha, Jorida Meta dhe Françeska Hysi. Aktore dhe producente Shegushe Bebeti “Mjeshtre e Madhe” tregon se vepra teatrore që vjen në Shqipëri premierë është nga komeditë më të bukura. Ajo thotë se ka pasur sukses të madh dhe është vënë në shumë teatro në botë. “Mbi të gjitha kjo vepër përfshin shumë tema sociale, të cilat janë plagë jo vetëm e shoqërisë sonë, por në të gjithë botën. Përshembull marrëdhënia prind fëmijë, ku fëmijët largohen dhe janë egoistë e mendojnë vetëm për vete dhe harrojnë se kanë prindër. Por ka dhe plot gra, që dëshirojnë të lindin dhe nuk munden. Harxhojnë pasurinë e tyre për të bërë fertilizim in vitro dhe për të sjellë fëmijë në jetë, por kur nuk kanë sukses përpiqen të adoptojnë dhe shpesh herë ju shkon ose jo mbarë kjo gjë. Ka vajza të reja, të cilat duan të vazhdojnë jetën, duan të punojnë, por që nga stresi janë nën ndikimin e alkoolit dhe arrijnë marrin dhe drogë”, tregon aktorja Shegushe Bebeti, që këtë herë vjen dhe në rol për publikun. “Celulë seksuale” shënon premierën së shpejti në skenë, por aktorja Shegushe Bebeti tregon dhe një tjetër arsye pse vjen në skenë komedia. “Një nga arsyet që kisha dëshirë të sillja këtë komedi në skenë, sepse është ndryshe”, thotë ajo ndër të tjera.
Rreth ngjarjeve në shfaqje
Në komedinë e hidhur “Celulë seksuale” bëhet fjalë për katër gra, me mosha të ndryshme të cilat janë operatore telefonike dhe shesin lodra seksi. Përgjatë dialogjeve ato shpalosin marrëdhëniet midis tyre, jetën e përditshme, dashuritë dhe urrejtjet, dramat dhe pasionet. Konfliktet ndërmjet tyre, grupimet dhe insinuatat që krijohen të sjellin brenda kësaj mikrobote, një vizion rreth mënyrës se si funksionon shoqëria në përgjithësi. Kjo pjesë është një nga veprat më të suksesshme të dramaturgjisë bashkëkohore. Ajo merret me njeriun e thjeshtë, me mënyrën se si ai arrin të mbijetojë në një mjedis social. Jo më kot katër personazhet e përzgjedhur nga autorja janë të moshave të ndryshme. Ato përfaqësojnë interesa, dëshira, halle, problematika të ndryshme në varësi të moshës. Ato e përcaktojnë të qënit grua, nënë si një gardianë e familjes, e fëmijëve dhe e së ardhmes. Detyra e tyre është të ruajnë çfarë kanë më të shtrenjtë. Përktheu Rudi Erebara, as/ regjisor Elidon Alika, skenograf dhe kostumograf Laedia Hajdari dhe muzika Sokol Marsi. Shfaqja do të jetë në skenë më 24, 25, 26, 27, 31 mars dhe 1, 2 dhe 3 prill.









































