Koronavirusi ende nuk e ka kaluar rrezikshmërinë e tij, ndërkohë që ende pa u grumbulluar mirë ekipi përfaqësues i futbollit, konstatohen se dy futbollistë do të mungojnë për miqësoret e fundmarsit pikërisht për shkak se janë infektuar me covid-19. Siç dihet, Shqipëria do të luajë dy takime miqësore, ndaj Spanjës më 26 mars në Barcelonë dhe ndaj Gjeorgjisë tri ditë më vonë në Tiranë. Këto sfida pritet që të jenë edhe një test për ekipin kombëtar, ku një prej tyre, Spanja, është ndër ekipet më të forta në botë. Në kuadër të këtyre ndeshjeve, trajneri Edi Reja ka shpallur listën me emrat e 26 lojtarëve të grumbulluar. Një listë me shumë pak ndryshime nga ajo e fundit, ku është rikthyer sulmuesi Rei Manaj, ndërsa në mbrojtje mungojnë Trashi dhe Veseli. Mungesë ka edhe në portë, ku Selmani i dëmtuar është zëvendësuar nga Elhan Kastrati, që grumbullohet për herë të parë. Lista e lojtarëve të thirrur në Kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet miqësore të marsit ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë ka pësuar një ndryshim. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka pasur dy ndryshime të fundit, pasi mbrojtësi Enea Mihaj dhe mesfushori Nedim Bajrami nuk do të jenë të gatshëm për këto dy sfida. Mihaj ka rezultuar pozitiv pas testit Covid-19 dhe është karantinuar, duke mos pasur mundësi të grumbullohet me përfaqësuesen kuqezi. Edhe Nedim Bajrami ka pasur simptoma gripale dhe temperaturë të lartë pasditen e të dielës. Në këto kushte, trajneri Edoardo Reja ka vendosur të thërrasë në Kombëtare mbrojtësin Herdi Prenga, i cili po bën paraqitje të mira këtë sezon me skuadrën e Kisvardas në Hungari dhe mesfushorin Endri Çekiçi, autori i katër golave dhe tre asisteve me Koniasporin në Turqi. Për Prengën është një rikthim pasi është grumbulluar edhe më parë me Kombëtaren A, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-21 në të kaluarën. Futbollisti do t’i bashkohet të hënën skuadrës në grumbullimin që do të nisë në Barcelonë. Ndërsa Çekiçi ka qenë rregullisht pjesë e Kombëtares në ndeshjet e fundit.
Gjendja e grupit dhe taktikat e Rejës
Kombëtarja është grumbulluar tashmë dhe lojtarët në tërësi janë në gjendje të mirë. Trajneri Edi Reja është duke monitoruar situatën rreth formës së tyre, por edhe duke eksperimentuar me të rinjtë e afruar, duke u përpjekur të krijojë ide për pozicionin ideal të tyre në fushë dhe harmonizimin me skemën taktike të lojës. Ka pasur shumë afrime tek kuqezinjtë këtë herë. Kështu, në mbrojtje afrim është edhe i riu Ardian Bajrami i Benfikës U-23, ndërsa pjesa tjetër e pandryshuar. Në mesfushë mungon Çokaj ndërsa siç pritej një vend në Kombëtare ka edhe për Kristjan Asllanin. Ndërkaq, rikthehet me kuqezinjtë sulmuesi Xhakomo Vrioni, i cili po kalon gjithashtu një formë të mirë në Bundesligën austriake, së bashku me mbrojtësin Ivan Balliu, që ka munguar te kuqezinjtë në takimet e fundit për shkak të problemeve fizike. Ndërkohë, trajneri Edi Reja, pasi të njihet me gjendjen e lojtarëve do të krijojë skemat e tij adekuate për dy ndeshjet miqësore të 26 dhe 29 marsit, ku padyshim e para është një miqësore luksi, pasi përballemi me një prej skuadrave më të mira të botës, sikurse është përfaqësuesja spanjolle.









































