Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit, thekson Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit dhe pranisë së krimit të organizuar. Në raportin e fundit të publikuar nga DASH dhe që gazeta “SOT” e disponon të plotë, theksohet se Shqipëria ka një ekonomi të madhe “cash” dhe një sektor informal, me remitanca të konsiderueshme dhe flukse parash investimesh nga jashtë. Sipas raportit, trafikimi i narkotikëve dhe aktivitetet e tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të fondeve të pastruara, ndërsa thuhet se organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjete që veprojnë gjerësisht në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut. Në raportin e DASH theksohet, se Shqipëria po bën përpjekje të vazhdueshme kundër pastrimit të parave, por këto përpjekje ende pengohen nga sfidat e kapaciteteve, mbikëqyrja e pamjaftueshme e sektorëve të caktuar dhe nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit dhe atyre mbikëqyrëse. Në raport theksohet, se Shqipëria duhet që të zbatojë ligjet ekzistuese, të ushtrojë kontrolle si edhe të zhvillojë kapacitetet e policisë dhe prokurorëve ndaj korrupsionit.“Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese, të ushtrojë funksione efektive mbikëqyrëse, të përmirësojë bashkëpunimin mbikëqyrës dhe ligjzbatues dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u fokusuar në korrupsionin, PP dhe krimet ekonomike. Zbatimi i reformave thelbësore të kodit penal në 2016 dhe 2017 është ende një sfidë. Përkundër një numri të konsiderueshëm të hetimeve të PP në vitet e fundit, numri i ndjekjeve penale të lidhura mbetet i ulët. Në nëntë muajt e parë të vitit 2021, ka pasur 32 dënime individuale për pastrim parash”, thuhet në raport.
Metodologjitë e pastrimit të parave
Ndërkohë, në raport thuhet se krimet që gjenerojnë të ardhura në vend përfshijnë trafikun e drogës dhe njerëzve. Raporti thekson, se ndër metodat më të përhapura të pastrimit të parave në vend janë blerja e pronave dhe zhvillimeve të bizneseve.“Krimet kryesore që gjenerojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikun e drogës dhe njerëzve, evazionin fiskal dhe kontrabandën e mallrave dhe njerëzve. Vendndodhja e Shqipërisë në Evropë dhe prania e rrjeteve shqiptare në krimin e organizuar në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut rrisin dobësitë. Projektet e ndërtimit, pronave të paluajtshme dhe zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme. Ndërsa shumica e objekteve të lojërave u mbyllën dhe u shpallën të jashtëligjshme në vitin 2019, legjislacioni ende lejon lojërat në kazino në vendpushimet me pesë yje”, thuhet në raport. Ndër të tjera, në raport theksohet se vitin e kaluar SPAK sekuestroi miliona dollarë dhe pasuri të paluajtshme. Po ashtu, theksohet se po ashtu pati të arrestuar për trafik droge.“Në vitin 2021, SPAK-u sekuestroi miliona dollarë pasuri, përfshirë pasuri të paluajtshme, aksione të korporatave dhe dy kanale televizive, të një biznesmeni të akuzuar për pasuri të pabazuara dhe lidhje me trafikun e drogës. Në korrik 2021, prokurorët e SPAK arrestuan 38 të dyshuar, mes të cilëve një prokuror, shefin e seksionit të për trafikun e narkotikëve, katër oficerë të lartë policie dhe një drejtor të pushtetit vendor me akuzën e trafikut të drogës. Të pandehurit janë nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre, PP dhe aktivitete të tjera kriminale”, thuhet në raport.





































