Protestat qytetare kundër rritjes së frikshme të çmimeve të produkteve të “shportës”, karburantit dhe energjisë elektrike pësuan një tkurrje të madhe në ditët e fundit. Organizatorët e protestës së ditës së shtunë paralajmëruan se demonstrimi qytetar do të zgjaste 24 orë, por rezistenca e pjesëmarrësve zgjati vetëm 6 orë. Për fatin e keq, policia ndërhyri dhe shpërndau aktivitetin me justifikimin se organizatorët e protestës kishin marrë leje për pjesën kohore të paradites. Edhe pse drejtuesit e protestave kundër shtrenjtimit të çmimeve këmbëngulën se kanë njoftuar policinë për organizimin e protestës së tetë në kryeqytet, forcat e rendit vepruan lehtësisht për të shpërndarë demonstruesit pasi numri i pjesëmarrësve po reduktohej ndjeshëm. Arsyet e kësaj serie të radhës së zbehjes dhe humbjes së vrullit të një tjetër “zemërate” madhore qytetare kundër vendimeve të qeverisë dhe gjendjes tërësore në vend janë të shumta, duke nisur nga polarizimi politik i shoqërisë, thellimi i pabarazisë ekonomike, largimi i një numri të madh të qytetarëve nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë jashtë vendlindjes, mosbesimi në rritje ndaj forcave politike opozitare, të cilat ende nuk po krijojnë një alternativë të mirëfilltë politike serioze kundër PS, niveli i pamjaftueshëm kulturor dhe politik i grupimeve shoqërore, mungesa e kohezionit mes grupimeve të margjinalizuara të shoqërisë, propaganda agresive e qeverisë kundër protestës, si dhe madje penetrimi i politikës në tubimet e udhëhequra nga shoqëria civile.
Eksponentë të “Shtëpisë së Lirisë” në protestën e së shtunës
Përfshirja e politikës në një protesta qytetarët u pa qartë këtë të shtunë para Kryeministrisë, ku disa prej eksponentëve kryesorë të “Shtëpisë së Lirisë” si ish-deputetët Aldo Bumçi, Klevis Balliu dhe ish-juristi i PD, Çlirim Gjata (Komisioni i Rithemelimit të PD) dhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, kanë qenë prezent në këtë tundim dhe madje në rreshtin e parë. Prania e tyre duket se ka bërë që protesta të ishte shumë e vogël. Kjo pasi duke krahasuar pamjet satelitore të ditëve të kaluara të protestave në kryeqytet kundër rritjes së çmimeve, pjesëmarrja qytetare ka qenë në rritje në ditët kur mungoi prezenca e eksponentëve politikë të opozitës. Madje, dita e parë e protestës u kontestua për numrin e ulët të pjesëmarrësve në media dhe rrjetet sociale për shkak të daljes së deputetit të LSI, Petrit Vasili dhe zyrtarëve të tjerë të “Shtëpisë së Lirisë”. Ndërkohë, PD nuk ka marrë pjesë në këto organizime qytetare kundër shumëfishimit të çmimeve të produkteve të ndryshme. Nëse do të shikojmë shumë vende të huaja, protestat organizohen nga grupime të ndryshme qytetare të paasociuara politikisht me partitë e establishmentit, ndërsa në vendin tonë, protestat e së shtunës dëshmuan dhe njëherë se distancimi i shoqërisë nga klasa politike që e përfaqëson, edhe pse është sulmuar prej 30 vitesh se ka drejtuar vendin në kursin e gabuar, provon vështirësinë e madhe të krijimit të një klase dhe realiteti të ri politik.





































