Dje u hodh në Nion të Zvicrës shorti për Champions dhe Europa League. Kampionët në fuqi të Champions League, Çelsi, do të ndeshet me Realin e Madridit, duke përsëritur dhe një herë gjysmë-finalen e sezonit të kaluar. Një tjetër sfidë fantastike është ajo midis Mançester Sitit dhe Atletiko Madridit, me anglezët e Guardiolës që nuk do të stepen nga ekipi i Simeones. Fati i ka buzëqeshur Bajernit dhe Liverpulit. Gjermanët do të ndeshen me Vijarealët e Emeri, ndërsa ekipi i Klop do të ketë përballë Benfikën. Gjithashtu janë vendosur se dhe cilat do të jenë çiftet gjysmë-finale. Fituesi i sfidës Çelsi-Real Madrid do të përballet me fituesin e Mançester Siti-Atletiko Madrid. Ndërsa fituesi i Vijareal-Bajern do të ndeshet me fituesin e Benfika-Liverpul. Emocione edhe në Ligën e Europës, finalja e së cilës do të luhet në stadiumin e Seviljes më 18 maj. Goglat prodhuan sfida interesante dhe tepër të bukura në çerekfinalet që do të luhen më 7 dhe 14 prill. Sërish rival gjerman për Atalantën e Berat Gjimshitit, që eliminoi Bajer Leverkusen në raundin e 1/8-ve. Ekipi i vetëm italian që ka mbetur në garë, do të sfidojë Leipzigun për një biletë në gjysmëfinale, me takimin e parë që do të zhvillohet në stadiumin e nënkampionëve të Gjermanisë. Eintracht Frankfurt është rivali i Barcelonës për një post mes katër ekipeve më të mira, me katalanasit që dalin të kënaqur nga ky short. Uest Hem-Lion është një nga përballjet më të forta në raundin çerekfinale, me skuadrat që eliminuan Seviljen dhe Porton për të mbërritur këtu, ndërsa dueli tjetër është ai mes portugezëve të Bragës dhe Rejnxhërs, kampionëve të Skocisë. Nëse Atalanta kalon Leipzigun, në gjysmëfinale do të sfidojë fituesin e çiftit Braga-Rejnxhërs, ndërsa Barcelonën e pret fituesi i Uest Hem-Lion për një biletë në finalen e madhe, gjithmonë nëse skuadra e Ksavit kalon me sukses pengesën Eintraht.