Serbia vazhdon të trazojë situatën politike në Malin e Zi. Nisma “Ballkani i Hapur”, por edhe votëbesimi i Dritan Abazoviç si kryeministri i parë shqiptar në vend po shkaktojnë tension në Malin e Zi. Në të dyja rastet, problemi është Serbia. Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç u shpreh ditën e djeshme se Serbia kërkon të zhdukë Malin e Zi duke përdorur projektin “Ballkani i Hapur”. I nënshkruar nga tre vende pjesëmarrëse Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, dhe me mungesën e tre të tjerave Mali i Zi, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, iniciativa e nisur si Minishengeni Ballkanik, i ndryshuar në emërtim dhe i nënshkruar si “Ballkani i Hapur”, vazhdon të krijojë frymë edhe më të fortë përçarëse në Ballkan. Presidenti ka shprehur qëndrimin e tij kundër kësaj nisme. Ai është mosbesues ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. “Ata po përpiqen të realizojnë projektin e tyre nacionalist që më pas ta kamuflojnë shkatërrimin e tyre me një lloj historie për bashkëpunimin rajonal, të cilin fjalë për fjalë e përkufizojnë si Ballkani i Hapur. Jo, kjo nuk funksionon për ne”, u shpreh presidenti malazez. Duke e krahasuar periudhën aktuale, me sundimin e Sllobodan Millosheviçit, Gjukanoviç thotë se Beogradi së pari shpall rrezikimin e serbëve në rajon, e më pas deklaron gatishmërinë e Serbisë për të mbrojtur të drejtat e rrezikuara të serbëve në rajon dhe sigurisht, Serbia shkatërron sovranitetin e vendeve fqinje. “Ne nuk mund ta pranojmë një naivitet të tillë, por duhet të shohim se çfarë fshihet pas tij. Pas kësaj shohim një përpjekje për të shkatërruar sovranitetin e vendeve fqinje dhe për këtë arsye e themi shumë qartë se një nga autorët e kësaj nisme nuk ka asnjë kredibilitet për të na ftuar t’i bashkohemi kësaj nisme.”, ka thënë ai.
Serbët bllokojnë parlamentin, e quajnë qeverinë e Dritan Abazoviç si “antikushtetuese”
Partitë serbe po tentojnë të mbajnë të bllokuar Parlamentin e Malit të Zi, që të ndalojnë votëbesimin e qeverisë së Dritan Abazoviç, kryeministrit të parë shqiptar, duke e quajtur “antikushtetuese” . Mësohet se Nënkryetari i Parlamentit, i komanduar në detyrën e kreut, Strahinja Bulajiç, refuzon të thërrasë seancën e Parlamentit, e cila sipas Kushtetutës së vendit, duhej të rimblidhej në sezonin e ri që në datën 1 mars. Bulajiç, një gjeolog prej Nikshiqi, i zgjedhur nga partia serbe “Partia e Re Demokrate Serbe”, mban qëndrimin e të gjithë frontit proserb, që e konsideron qeverinë e Dritan Abazoviç si “antikushtetuese”. Kryeministri në detyrë, Zdravko Krivokapiç, ka deklaruar për mediat se “kur u zgjodha unë kryeministër, Miloja (Gjukanoviçi) më kërkoi 41 firma, ndërsa Abazoviçit që i thoshte çetnik, i dha mandatin “fap e fap”. Pritet që grupi i partive serbe të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese procedurat e formimit të qeverisë së re, në mënyrë që ta vonojnë sa të jetë e mundur konstituimin e saj. Ndërkaq, Dritan Abazoviç, duket se ka siguruar një mazhorancë prej 49 votash në mbështetje të qeverisë së re, një shumicë që përbën 3/5-at e Parlamentit, e cila i jep mundësi të bëjë reformat e duhura kushtetuese. Kryeministri i mandatuar është takuar në hotelin Hilton të Podgoricës me të gjitha partitë e mazhorancës së re, ku DPS-në e ka përfaqësuar vetë kryetari i saj, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. I cili ka shprehur se do ta mbështesë pa kushte qeverinë e re duke mos marrë asgjë nga postet qendrore dhe administrative, por duke kërkuar që të mos ketë rrëshqitje nga kursi properëndimor i vendit. Këtë e pranoi edhe Abazoviç, i cili para gazetarëve tha se Gjukanoviç ka pasur kërkesa krejt të realizueshme. Në qeverinë e re do të jetë e prezantuar vetëm URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste që ka qenë në qeverinë proserbe, të gjitha partitë e pakicave kombëtare, si dhe Partia Liberale e Malit të Zi. Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit në largim, Vojo Lakoviç, një ish-zyrtar i inteligjencës së Sllobodan Millosheviçit, ka hedhur një bombë tymuese për të trazuar situatën.









































