Filmi “Kadillak dhe manaferra” premierë botërore në festivalin e Brukselit, Bujar Alimani: Historia e rezistencës së një naftëtari kundrejt pushtetit

0
268

Filmi “Kadillak dhe manaferra” është përzgjedhur në edicionin e 25-të, të festivalit të filmit të shkurtër në Bruksel, Belgjikë. Me skenar  nga Bujar Alimani dhe regji nga Suela Bako, kjo është premiera ndërkombëtare e këtij filmi që mbështetet në një histori të vërtetë, që ka ndodhur në vitet ’70 në vendin tonë. Me regji të Suela Bakos, një film që ka në thelb rezistencën personale të njeriut kundër sistemit të kohës. Në kastën e aktorëve janë Lulzim Zeqja, Myzafer Zilfa dhe Daren Karameta. Në një reagim të tij, skenaristi Bujar Alimani tregon rreth asaj që gjen publiku në këtë film, që sipas tij bazohet në një histori të vërtetë. Alimani shprehet se gjithçka nis kur një tekniku nafte në vitet ’70 i vjen një makinë nga jashtë. “Është historia e rezistencës së një naftëtari kundrejt pushtetit dhe manipulimeve. Një tekniku nafte diku në mes të viteve ‘70 i vjen një makine e ardhur nga i ati i tij emigrant i paraluftës në SHBA. Njerëzit e pushtetit përpiqen ta bindin, që atë makinë luksoze t’ia dhurojë udhëheqjes”, tregon Alimani. Si skenarist, Bujar Aliamni tregon se ka shume rëndësi pjesëmarrja në këtë festival të filmit të shkurtër në Belgjikë që zhvillohet nga data 20 deri më 30 të muajit që vjen. Kjo sepse sipas tij, duke qenë film i shkurtër është jo e lehtë të hyjë në festivale. “Realiteti tregon se filma të shkurtër prodhohen me shumë se sa filma të gjatë. Kështu që edhe dyndja e tyre në festivale, pra aplikimet për të hyrë janë të shumta. Të pranohet një film i shkurtër është sukses shumë i madh dhe i rëndësishëm. Historitë shqiptare të treguara në një audiencë të huaj janë gjithnjë një njohje më shumë për vendin tonë. Zona ku kemi bërë xhirimet është kinematografikisht e pa eksploruar dhe si lokacion premton shumë”, thotë ai.

Rreth filmit

Filmi ktheu Patosin në shesh xhirimi më parë. “Kadillak dhe manaferra” më parë shënoi premierën kombëtare në “Tirana International Film Festival”, ndërsa tani është premierë botërore në Bruksel. Në një postim të saj edhe regjisorja Suela Bako gjithashtu shkruan se uron të pasohet nga shumë premiera të tjera. “Të kemi mundësinë të ndajmë këtë copëz Shqipërie anekënd”, shkruan Bako. “Kadillak dhe manaferra” një film me metrazh të shkurtër, përcjell mesazhin, psikologjinë, pushtetin e një regjimi totalitar. Në vitet ’70 në qytetin e Patosit vjen një “Kadillak” i shkëlqyer, në emër të një intelektuali qytetar i Patosit dhuratë prej të atit emigrant në USA. Atij ia paraqesin dhuratën së bashku me kushtin, që nëse e pranon duhet t’ia lërë në pronësi Partisë, udhëheqjes, nëse jo duhet ta kthejë mbrapsht. Qytetari e kthen mbrapsht, dhe në këtë mënyrë shpreh revoltën dhe mos dakordësinë e tij me sistemin, pushtetin popullor të asaj kohe. Filmi është prodhim i “90 Production” me producente Tefta Bejkon dhe mbështetje financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe SEE Cinema Network

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here