Java e 26-të e Kategorisë Superiore, quajtur këtë sezon edhe si “Abissnet Superiore”, do të startojë të shtunën më 19 mars me 3 ndeshje e dy takime të tjera të kësaj xhiroje do të luhen ditën e dielë më 20 mars. Duhet theksuar se kryendeshja e kësaj jave do të jetë derbi Tirana-Dinamo, që ishte planifikuar të luhet në kryeqytet, por për shkak se fusha e impiantit të ri kombëtar do të ruhet për gjendje optimale në finalen e Conference League, takimi i radhës derbi do të spostohet në një impiant tjetër. Padyshim ë të gjitha skuadrat do të kërkojnë maksimumin për të përmbushur objektivat e tyre, por Partizanit, Vllaznisë dhe Kukësit, duke pasur përballë rivalë të dobët (në letër), nuk u falet të mos fitojnë e të qëndrojnë brenda objektivave. Siç thamë, java e 26-të e “Abissnet Superiore” rezervon derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos, teksa bardheblutë kërkojnë vazhdimësinë për t’iu afruar edhe më shumë titullit kampion ndërsa nga ana tjetër, blutë me trajnerin e ri Vanoli, iu duhen pikët pasi janë të përfshirë në garën e mbijetesës. Mirëpo, derbi edhe pse i kryeqytetit, do të luhet jashtë tij pasi Tirana ka zyrtarizuar së fundmi axhendën për këtë sfidë. Me “Air Albanian” që ka mbyllur dyert pasi do të përgatitet për finalen e Conference League në muajin maj dhe me “Selman Stermasin” që nuk është në kushtet e përshtatshme, bardheblutë kanë zgjedhur të jenë pritës në stadiumin “Elbasan Arena”. “Ndeshja e radhës në Kategoria “Abissnet Superiore”, luhet të shtunën, 19/03/2022, ora 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, shkruan klubi i Tiranës në faqen e vet në rrjetet sociale.
Vllaznia me probleme para Egnaias, ka mungesa
Vllaznia do të luajë ndeshjen e parë të saj pa trajnerin Bërdariç në pankinë. Ndërkohë, tekniku Elvis Plori do të bëjë debutimin e tij si trajneri i parë i Vllaznisë në përballjen e javës së 26-të ndaj Egnatias. Klubi shkodran vendosi largimin e gjermanit Thomas Brdariç pas luhatjeve që tregoi skuadra në javët e fundit, ndërsa mendoi që t’i jepte një zgjidhje brenda familjes, me Plorin i cili në këto dy edicione ka qenë zëvendës trajner. Dëmtimet mund të kthehen në një problem për trajnerin Plori, me disa prej titullarëve që kanë shfaqur probleme. Katër futbollistë kanë shfaqur shqetësime fizike dhe do të jenë në dyshim për takimin me rrogozhinasit. Erdenis Gurishta, Fjoart Jonuzi, De Silva dhe Liridon Latifi kanë pësuar dëmtime dhe janë në rrezik për takimin e radhës. Në anën tjetër mungesë e sigurt është ajo e Ante Aralica, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Stafi mjekësor do të punojë deri para sfidës me Egnatian, në mënyrë që së paku ndonjë prej lojtarëve të dëmtuar të jetë i aftë për të dhënë kontributin e tij për skuadrën. Sigurisht që ndërlikohen llogaritë për Plorin, i cili duhet të bëjë pa një pjesë të titullarëve, ndërsa e nis aventurën e tij në stolin kuqeblu ndaj një skuadre që kërkon me doemos që të maksimumin e pikëve.