Lojtarët e përfaqësueses së Shqipërisë që luajnë me klube të njohura europiane po kalojnë përgjithësisht momente të mira me klubet e tyre dhe situatën e këtyre futbollistëve po e ndjek hap pas hapi trajneri kuqezi, Edi Reja, i cili së shpejti do të ketë dy sfida mjaft të forta, teste të vështira për të dhe ekipin e tij para se të nisin në verë ndeshjet e Ligës së Kombeve për këtë sezon. Kuptohet që do të ketë të ftuar edhe lojtarë të rinj, midis të cilëve spikat Armando Broja, i cili e ka kaluar dëmtimin e marrë pak ditë më parë dhe i është bashkuar grupit të Sauthemptonit në stërvitje, duke dhënë sinjale se do të jetë në fushë në ndeshjen e kupës ndaj Mançester Sitit e në të njëjtën kohë do të jetë i grumbulluar me përfaqësuesen për sfidat e radhës miqësore, konkretisht ndaj Spanjës më 26 mars e ndaj Gjeorgjisë më 29 mars. Këto janë dy teste mjaft domethënëse për kuqezinjtë dhe vetë trajnerin Reja që ka ambicie të sigurojë kualifikimin e Shqipërisë në Europianin e vitit 2024.
Broja kalon dëmtimin, gati për Sitin dhe për Rejën
Një nga futbollistët që ka spikatur më shumë këtë edicion është Armando Broja, i cili u huazua nga Çelsi për tek Sauthemptoni dhe ai ka pasur momente të mira me këtë skuadër. Edhe pse javët e fundit nuk ka mundur të shënojë, loja e fortë në sulm i ka dhënë përparësi pasi aktivizohet si titullar shumicën e ndeshjeve dhe trajneri i Sauthemptonit i beson atij. Ndërkohë, mësohet nga mediat angleze se Armand Broja stërvitet rregullisht me futbollistët e tjerë të Sauthemptonit në përgatitjet për sfidën me Mançester Sitit, në fundjavë, në çerekfinale të FA Cup. Sulmuesi shqiptar, i dëmtuar në sy në humbjen me 1-2 ndaj Uatfordin, duket se nuk ka asgjë serioze dhe do të jetë nën urdhrat e Hasenhutle për impenjimet e radhës. Një lajm i mirë edhe për përfaqësuesen Shqiptare, që në fund të muajit do të zhvillojë dy sfida miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë, më 26 mars në Barcelonë dhe më 29 në “Air Albania”. Broja, i huazuar nga Çelsi ka rezultuar zbulim i sezonit te skuadra e Sauthemptonit, teksa në 25 ndeshje të Premier ka mundur të shënojë 6 gola.
Spanja bën ndryshime para Shqipërisë, trajneri Enrike fton dy lojtarë të rinj
Ndërkohë që trajneri Edi Reja po monitoron situatën e kuqezinjve me klubet e tyre dhe pritet të bëjë publike listën e lojtarëve që do të grumbullojë në miqësoret e fundmarsit, duket se rivalët tanë, ata të parët në radhë, spanjollët, po shqyrtojnë mundësitë e reja të tyre. Atje lista ka dalë dhe ka madje surpriza në emrat e ftuar. Referuar medieve sportive madrilene, përfaqësuesja e Spanjës do të rikthehet me ndeshje miqësore pas kampanjës së suksesshme kualifikuese për Kupën e Botës 2022. Luis Enrike zyrtarisht pritet ta publikojë listën e lojtarëve të premten, por “goal.com” e Spanjës, ka mësuar se do të jenë dy debutues për ndeshjet miqësore ndaj Shqipërisë dhe Islandës, që zhvillohen këtë muaj. Thirrje për herën e parë kanë marrë portieri Robert Sançez dhe Pedro Porro në mbrojtje. Ndeshja kundër Shqipërisë do të luhet më 26 mars, ndërsa me Islandën më 29 mars.