Krijimtaria dhe aktiviteti i artistes Lumturi Blloshmi ishte në një bashkëbisedim me kuratoren Adela Demetja, Eleni Laperi, Suzana Varvaricën dhe Krenar Zejnon, ekspertë të fushës së artit dhe bashkëpunëtorë të saj. Në bashkëbisedimin “Lumturi Blloshmi. Nga e para” te holli i “ArTurbinës” u diskutua më në detaj mbi krijimtarinë e artistes pas viteve ’90, por dhe për ta sjellë atë më pranë publikut vendas. Për ministren e Kulturës Elva Margariti, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal. “Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, shprehet Margariti. Më tej në një status të saj ministrja e Kulturës thotë se ishte frymëzues takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar të “La Biennale di Venezia” Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno. “Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë konsumiste dhe dëshirës për liri”, shprehet ministrja Margariti. Lumturi Blloshmi do të jetë artistja e para femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim personal në Venecia, kuruar nga kuratorja shqiptare Adela Demetja. Demetja u miqësua me Blloshmin në vitin 2016 dhe ka qenë një nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushta deri në fundin e jetës së artistes. Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” erdhi i konceptuar si një ekspozitë, që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Home Aktualitet Studiues të artit bëhen bashkë për krijimtarinë dhe aktivitetin e artistes Lumturi...









































