Google search engine
Home Politike Berisha del zbuluar dhe pranon bashkëpunimin me presidentin: Do jem në koalicion...

Berisha del zbuluar dhe pranon bashkëpunimin me presidentin: Do jem në koalicion me LSI, Meta politikan që do forcojë opozitën, ambasadorja Kim vasale e Ramës

0
174

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur me superlativa për presidentin Ilir Meta, ndërsa konfirmoi vazhdimin e koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Në një studio televizive, ish-kreu i Partisë Demokratike bëri me dije se presidenti Meta do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e opozitës kundër qeverisë socialiste, pasi të përfundojë mandatin presidencial në korrik 2022. Edhe pse pranoi se në kampin e PD dhe LSI ka zëra kundër vazhdimit të bashkëpunimit politik mes tyre, Berisha theksoi rëndësinë e rritjes dhe forcimit të aleancës opozitare për të rrëzuar mazhorancën e majtë në Shqipëri, duke theksuar se atashimi i Metës në opozitë e forcon këtë të fundit.  “Kam thënë se unë jam dhe do të jem për aleancë me LSI-së. Sigurisht që ka elektorat nga të dyja partitë që nuk e pëlqejnë këtë gjë, por interesi për të çmontuar një regjim si ai aktual është më i madh se sa problematikat që dalin nga koalicioni. Se kush do të jetë lideri i opozitës është i përcaktuar nga zgjedhjet e 25 prillit, por Meta do të ketë një rol të padiskutueshëm në opozitë dhe do të merret me forcimin e opozitarizmit në vend. E quaj të domosdoshme aleancën me LSI-së dhe forcave që duan të qëndrojnë kundër këtij regjimi”, tha Berisha.
Berisha sulmon Yuri Kim

Por ish-kryedemokrati Berisha gjatë fjalës së tij, nuk i kurseu sërish akuzat ndaj ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. Ai deklaroi se nuk mund të lejohet asnjë diplomat i huaj që të diktojë kryetarin e një partie në vendin tonë. Sipas tij, çdo kush që do të tentojë një gjë të tillë, nuk do të ketë sukses. Berisha shënjestroi dhe rivalin e tij Lulzim Basha, duke e konsideruar se mbetet lider i PD vetëm për ambasadoren Kim dhe kryeministrin Edi Rama. “Nuk mund të lejoj që një i huaj të përzihet dhe të diktojë kryetarin e një force politike sa ky vend është sovran. Këtë në mënyrë kategorike e refuzoj dhe secili që e tenton do të dështojë. Basha nuk është kryetar zyrtarisht, është vetëm për Ramën dhe guvernatoren Kim. Ne e kemi shkarkuar”, përfundoi Sali Berisha.
Ish-kreu i PD: Politikanë shqiptarë kanë porositur vrasje

Ndërkohë në vazhdim të fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha demokrat në vitet 2005-2013 bëri një denoncim të rëndë mbrëmjen  e djeshme ku tha se politikanë shqiptarë kontaktojnë dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar nëpërmjet telefonave pa kartë të markës “BQ”. Madje, sipas Berishës disa qeveritarë shqiptarë kanë porositur dhe kryerjen e disa vrasjeve mafioze në vend. “Ekziston një breshëri e tillë deklaratash ku ka progres, por ekziston një dosje e madhe e telefonit ‘BQ’, e cila i ka bërë radiografinë këtij regjimi. Është një telefon special ai. Ata që e kanë përdorur i kanë bërë vetes radiografinë. Ky na qenka një telefon pa kartë të cilin rëndom e kanë përdorur dhe qeveritarët tanë. Kanë folur me kë kanë dashur vetë. Kanë folur me organizatat kriminale. Kanë porositur vrasje. Unë sot e mora vesh, se unë kujtoja se ishte ndonjë aplikacion kjo ‘BQ’. Ky është cunam i nëndheshëm. Unë pa të dhëna konkrete nuk e nxirrja sonte këtë çështje këtu. Po tregoj këtu lidhje vertikale në të gjitha nivelet me krimin”, denoncoi ish-lideri historik i PD në vitet 1991-2013.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here