Këngëtarja Elsa Lila e magjepsi publikun shqiptar që në momentin kur u ngjit në skenën e Festivalit të këngës së lehtë në RTSH ku në vitin 1996 fitoi me këngën “Pyes lotin”.
Më pas u largua drejt Italisë, ku edhe atje vijoi karrierën në muzikë, duke marrë pjesë në Sanremo. Sot arrestimi i këngëtares ka shkaktuar shumë reagime.
Elsa u përball që në moshë të vogël me një dhimbje të madhe: vdekjen e të ëmës, në rrethana të tmerrshme.
Nënën, violonisten Eva Vishaj e humbi në 1997, viti i trazirave; ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës e qëlluar me plumb në kokë.
Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago. Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit.
Duke qenë se ishte e divorcuar, Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”.
Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndersa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën.









































