“Trio Samaia” nga Franca solli një koncert për publikun në teatrin Metropol. Koncerti u zhvillua në kuadër të festivalit muzikor “MetroSound”. Trio vokale Samaia, e cila erdhi nga Parisi ishte në skenën e teatrit Metropol në Tiranë gjatë natës së tretë të festivalit, që këtë vit ka temën “Jehonë Arbëreshe”. Është një trio dinamike vajzash, të cilat sjellin me plot muzikalitet dhe emocione, këngë nga Mesdheu të kënduara në gjuhët origjinale dhe me mjeshtëri të aranzhuara dhe të luajtura në instrumente tradicionale. Kjo trio vajzash, interpreton muzika të popujve të ndryshëm dhe kanë një pasion të përbashkët, siç janë mikro- kulturat në botë. Festivali është nën drejtimin artistik të pianistit dhe kompozitorit Robert Bisha. Projekti i ri artistik “MetroSound” – “Jehonë Arbëreshe” vjen nga teatri Metropol në bashkëpunim me Tirana European Youth Capital (TEYC 2022) dhe Kongresin Rinor Kombëtar, i cili sjell për publikun muzikën, traditën, gjuhën dhe kërkime e hulumtime mbi kulturën arbëreshe. Dita e parë 10 mars, ishte një takim mes studiuesish, etnomuzikologësh e antropologësh, ku kryefjala e këtij eventi ishte etnomuzikologu Nicola Scaldaferri, kompozitor dhe profesor në universitetin e Milanos dhe pikë referimi nga etnomuzikologët shqiptarë. Më 11 mars u ngjit në skenë kori polifonik i vajzave arbëreshe “Lule Sheshi”, i udhëhequr nga M° Scaldaferri. Pesë vajza të reja, që kënduan me shumë pasion dhe çiltërsi polifoninë e gjyshërve të tyre, polifoninë e tyre arbëreshe shumë të pasur dhe me influenca bizantine, por dhe kujtime nga polifonia që karakterizonte shqiptarët në vitet 1400. “MetroSound” nisi në teatrin Metropol në datën 10 duke vijuar dhe më 11 e 12 mars. Në vijim festivali do të zhvillohet edhe në datat dhe 17, 18, 19 mars. Më 17 mars, një natë ndryshe nga netët e mëparshme, shkëputet nga polifonia vokale, dhe i dedikohet kryesisht muzikës instrumentale.