Vepra arti të frymëzuara nga fuqia njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë heroin nga vetja janë pjesë e ekspozitës “Ne jemi heronjtë tanë”, që hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita e veçantë e artistit grek Same 84 vjen e kuruar nga piktori Helidon Haliti dhe Kyriakos Iosifidis. Same84, një nga artistët më të rëndësishëm të rrugës të dekadave të fundit, prezanton një ekspozitë unike arti në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Kuratorët shprehen se kjo ekspozitë është e para e këtij lloji në Shqipëri, dhe bashkë me të do të nisë një sërë veprimtarish të ngjashme në vitet në vijim. Ekspozita street art në Tiranë, ku sipas dy kuratorëve, Same84 prezanton shumë nga punimet e tij të reja në telajo, të cilat janë punuar me teknikë të përzier, duke mbajtur kështu të njëjtën teknikë me të cilën punon muret në hapësirën e hapur publike. “Ky fakt jep një ndjesi të veçantë të rrugës në kanavacë, ndërkohë që teksturat e çimentos dhe shkrimi me spërkatje e theksojnë këtë ndjenjë. Karakteristikë e veprave të tij janë kontrastet shumë të forta”, thonë në tekstin e tyre dy kuratorët Helidon Haliti dhe Kyriakos Iosifidis. Artisti grek Same84 filloi hapat e parë në artin publik në vitin 1996 në Athinë dhe që atëherë ka një trend të vazhdueshëm rritës, duke krijuar kryesisht murale në sipërfaqe jashtëzakonisht të mëdha në të gjithë Evropën dhe jo vetëm.
Frymëzimi për veprat në ekspozitë
Titulli i ekspozitës “Ne jemi heronjtë tanë”, i referohet pikërisht asaj që përmend titulli. Siç shprehet artisti, të gjitha veprat në ekspozitë janë të frymëzuara nga fuqia jonë njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë nga vetja heroin që të gjithë e fshehim në shpirt. “Nisur nga ky arsyetim, jam përpjekur me veprat e mia të “ndërlidh” njerëzit e përditshëm që takojmë në përditshmërinë tonë, me heronjtë “modernë”. Dhe në një mënyrë që njëri “hijezon” tjetrin, duke treguar se është detyra jonë të “kapim” vetë jetën tonë dhe më në fund të bëhemi heronjtë tanë”, janë fjalët e artistit rreth ekspozitës. Ekspozita e Same84 është mikpritur në hapësirën e Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës dhe është pjesë e aktiviteteve për Kryeqytetin Rinor Evropian. Zbatohet nën mbikëqyrjen e Kyriakos Iosifidis (UrbanAct) dhe Helidon Halitit, me kujdesin dhe mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar, Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës Greke në Tiranë. Ekspozita që hapet sot për publikun do të qëndrojë deri më datë 21 mars në Muzeun Historik Kombëtar. Artistët e rrugës e bëjnë botën bardh e zi plot ngjyra, muret pa fytyrë të zonave të banuara kthehen në objekte arti. Por vlera kryesore e artit të rrugës nuk është në anën e tij estetike, por në faktin se falë tij njerëzit mendojnë për modernitetin, për vlerat e përjetshme dhe rolin e tyre në këtë botë. Arti i rrugës është çdo veprim krijues i krijuar në një mjedis urban, në hapësirën e rrugëve dhe shesheve. Artistët e artit të rrugës zgjedhin mjetet e tyre të shprehjes bazuar në konceptin. Dhe këto mjete shprehëse mund të jenë të ndryshme.