Zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Me 7 vota pro, Sandër Beci është votuar si anëtari më i ri Gjykatës Kushtetuese.
Pasi u njoh me listën e kandidatëve të dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi anëtarët e Gjykatës së Lartë votëbesuan Becin në Kushtetuese.
Tashmë rezulati do i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë, presidentit Ilir Meta dhe Gjykatës Kushtetuese.
Bazuar në nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) dhe Rregullores “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi, sot, më datë 15 mars 2022, procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi u njoh me listën e kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim të procesit të votimit, vendosi të shpall fitues me 7 (shtatë) vota pro, kandidatin Sandër Beci, i cili do të zërë vendin e anëtarit Fatmir Hoxha.
Rezultati i votimit do t’i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.






































