Google search engine
Home Sport U mbush “kupa”, Vllaznia shkarkon trajnerin Bërdariç

U mbush “kupa”, Vllaznia shkarkon trajnerin Bërdariç

0
182

Vllaznia e nisi sezonin si një prej skuadrave pretendente për titull, por në asnjë moment në këto 25 javë të para të zhvilluara deri më tani nga gara në Superligë nuk bindi si ekip kampion, duke mos pasur vijimësi në lojë e në rezultate dhe duke qenë shumë larg Tiranës kryesuese e pretendente për titull. Një duel direkt i humbur me Tiranën, në kuadër të xhiros së 25-të, në të ashtuquajturën “klasike” të futbollit shqiptar (humbën shkodranët 1-2), rezultoi fatal për trajnerin Thomas Bërdariç, i cili ishte paralajmëruar me largim nga presidenti i skuadrës Alban Xhaferri dhe dje erdhi edhe zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje. Duhet thënë se Vllaznia tani futet në një spirale tjetër, e cila mund ta nxjerrë për mirë këtë situatë, por mund të thellojë edhe më shumë krizën e lojës e të rezultateve, për ta nxjerrë Vllazninë nga objektivat, prandaj kërkohet menaxhim i kujdesshëm i situatës, sepse Vllaznia ka investuar për të qenë të paktën në kupat e Europës, por që me pozitat aktuale dhe gjendjen e grupit në përgjithësi nuk është aspak e sigurt.

Shkarkimi i Bardariçit

Nuk ka më dilema sepse është lajm zyrtar. Kështu, Thomas Bërdariç nuk është më trajner i Vllaznisë teksa humbja e fundit me Tiranën në shtëpi me rezultatin 1-2 duket se ka rezultuar fatale për teknikun kroato-gjerman. 47-vjeçari ishte emëruar në krye të shkodranëve më datë shtatë gusht të vitit 2020, teksa në sezonin e kaluar i shkoi shumë pranë titullit kampion, ndërsa në fund u mjaftua me trofeun e Kupës së Shqipërisë ku mposhti në finale Skënderbeun. Në këtë sezon, drejtuesit kishin pritshmëri të larta dhe prisnin një skuadër në garë për titullin, mirëpo mungesa e vazhdimësisë në rezultate bënë që kuqeblutë të mbetet larg objektivit titull. Kështu, pas edhe disfatës me një rival direkt si Tirana kryesuese, drejtuesit kanë menduar të mbyllin bashkëpunimin me Bërdariç, ndërsa në komunikatën zyrtare të klubit bëhet e ditur se drejtimi i skuadrës do t’i kalojë Elvis Plorit, i cili tashmë do të vazhdojë punën teksa skuadra është në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë ku ndeshet me Partizanin dhe do të kërkojë të mbrojë fronin. Kupa është shansi i vetëm për shkodranët të sigurojnë trofe dhe pjesëmarrje në Europë. Nga kampionati është thuajse edhe matematikisht e pamundur.

Qëndrimi i shkurtër i klubit

Mjaft i shkurtër ishte mesazhi i djeshëm i klubit të futbollit Vllaznia në lidhje me largimin e trajnerit Thomas Bërdariç, a thua bëhej fjalë për një largim të një lojtari stoli pa asnjë peshë në skuadër. Gjithsesi, tekniku falënderohej për punën e bërë dhe bëhej e qartë se do të zëvendësohej nga Plori. “Komunikatë për Shtyp! Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies me trajnerin Thomas Bërdariç. Në vazhdimësi ekipi do të drejtohet nga trajneri Elvis Plori. Me këtë rast, falënderojmë trajnerin Bërdariç për të gjithë kontributin e dhënë dhe i urojmë suksese ne karrierën e tij!”, shkruhet në njoftimin e shkurtër të klubit të futbollit “Vllaznia”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here