Google search engine
Home Sport E kontestuan tifozët, Leo Mesi kërkon largimin nga Paris San Zhermen

E kontestuan tifozët, Leo Mesi kërkon largimin nga Paris San Zhermen

0
239

Humbja me Realin e Madridit dhe eliminimi nga Champions League po i djeg gjithnjë e më tepër Paris San Zhermenit, ndërkohë që lojtarët më të mirë janë vënë në shënjestër të tifozëve, të cilët nuk pranojnë lojën dhe rezultatet e dobëta dhe ironizojnë e fërshëllejnë nga shkallët e stadiumit. Viktimë e kësaj sjelljeje dhe qëndrimi është edhe ylli argjentinas i skuadrës. Në fakt, Lionel Mesi nuk po mundet assesi ta kapërdijë faktin se ka nisur të kontestohet nga tifozët e tij. Një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur yllit argjentinas. Dhe, mediat franceze shkruajnë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka përjetuar mjaft rëndë dje vërshëllimat që ia bënë tifozët e Paris San Zhermen në duel me Bordo. Tifozët francezë kanë mbetur të dëshpëruar me kontributin e zbehtë të ish-futbollistit të Barcelonës në këta muaj. E kulmi arriti në “Santiago Bernabeu”, ku Mesi ishte vetëm një hije. Tash, kur tifozët ia kanë kthyer shpinën, Mesi po e mendon largimin nga Parisi. Për këtë sigurojnë mediat franceze dhe ato spanjolle. Sipas tyre, Leo nuk e ka gjetur asnjëherë veten në “Parkun e Princave”, ku ishte transferuar si lojtar i lirë. Andaj, në mendjen e tij është rikthimi në Barcelonë, ku e kaloi pjesën më të mirë të karrierë dhe ku fitoi gjithçka të mundshme. Gjithashtu, në opsion i ka edhe ofertat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, ai ndien se mund të luajë ende në nivele të larta dhe ligën MLS e sheh si të ardhme të tij dikur më vonë. Dje, mediat spanjolle shkruan se babai i lojtarit, Jorge Mesi tashmë ka biseduar me drejtuesit e Barçës për një rikthim të mundshëm të të birit të tij në “Camp Nou”. Natyrisht, problem mund të jetë rroga stratosferike që e merr Mesi në Paris. Por, me një sakrificë të tij gjithçka është e mundshme. Disa dashuri, nuk përfundojnë kurrë. Ndërkohë, zhvillime të tjera spikasin brenda gjirit të Paris San Zhermenit, ku përveç Mesit një tjetër argjentinas po bën gati valixhet për t’u larguar nga kryeqyteti france. Kështu, mësohet se Angel Di Maria dëshiron të largohet nga Paris PSG-ja verën e këtij viti, raporton të hënën “AS”. 34-vjeçari me klubin nga Parisi ka kontratë deri në qershor të këtij viti, por ai nuk dëshiron ta vazhdojë edhe më shumë për shkak të dështimit në Ligën e Kampionëve. Di Maria është i lumtur që do të jetë i lirë në qershor dhe gjasat për t’u kthyer te Benfika janë të mundshme. Ai luajti te Benfika nga viti 2007 deri në vitin 2010. Reprezentuesi i Argjentinës edicionin aktual në të gjitha garat ka shënuar tri gola dhe ka kontribuar me pesë asistime në 25 ndeshje. Pjesë e PSG-së është prej vitit 2015.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here