Java e 25-të e Kategorisë Superiore u mbyll dje me tri ndeshje të saj, ku padyshim ra në sy zhgënjimi i Teutës së Durrësit që humbi duelin e saj me Kastriotin, 0-1, me një gol të shënuar nga Kaina në fund të pjesës së parë, duke bërë që krutanët të marrin tri pikë dhe t’i ikin vendeve të fundit, një fitore që mbart aromë “mbijetese”. Natyrisht që rezultati ishte surprizë për krutanët, e më shumë se zhgënjyes për durrsakët, por nga ana tjetër edhe Laçi zhgënjeu dje përballë Kastriotit, duke mos shkuar më larg se barazimi 0-0, një rezultat që e largon ekipin kurbinas nga pozitat e pretendentes, sepse Tirana kryesuese pas kësaj jave mund të llogaritet si fituesja e madhe, e shkëputur me 10 pikë nga vendi i dytë dhe që tani ka bërë një hap përpara drejt titullit. Kulmi i kësaj jave mund të konsiderohet fitorja e Kukësit 2-0 ndaj Dinamon, duke bërë që verilindorët të forcojnë pozitat e tyre si vend i tretë, pozicion që të çon në Ligën e Konferencë së UEFA-s, kurse dinamovitët zhyten edhe më tej në fundin e tabelës, duke rrezikuar të kthehen andej nga u ngjitën një vit më parë. Në vend të parafundit, Dinamo duket seriozisht e kërcënuar të mos e kalojë provën themelore, atë të mbijetesës në elitë.
Kukësi bën detyrën, Dinamo është për t’i qarë hallin
Fitorja e djeshme e verilindorëve i konsolidon së tepërmi ata në vendin e tretë të renditjes, por mund t’i afrohen edhe vendit të dytë. Pas katër ndeshjeve pa fitore, nga të cilat dy i kishte humbur me rezultat të thellë ndaj rivalëve direkt si Laçi e Partizani, Kukësi është rikthyer te fitorja teksa në Kamëz mposhti me rezultatin 0-2, Dinamon. Sa i takon kronikës së ndeshjes, deri në minutën e 17 kur u zhbllokua edhe sfida, munguan rastet e rrezikshme. Ishte pikërisht ky moment kur verilindorët morën një dhuratë nga Prodani i cili ishte i pafat në momentin kur topi iu përplas në këmbë dhe përfundoi në portën e tij, me portierin Simoni që nuk mundi të reagonte teksa më parë kishte ndalur goditjen e Milunoviç. Në vazhdim, Dinamo provoi me Rimal Haxhiun në minutën e 23, si dhe me kapitenin Ibraimi në të 47-tën, mirëpo të dy futbollistët nuk kishin saktësinë e duhur dhe nuk arritën të vendosnin në provë portierin Tafas. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, verilindorët u treguan cinikë në rastin e parë që iu erdhi dhe Milunoviç në minutën e 55 mposhti me kokë portierin Simoni. Sulmuesi shfrytëzoi më së miri një pasim të De Lukas dhe “tundi” për herë të gjashtë rrjetën në këtë sezon. Sakaq, të besuarit e trajnerit Diego Longo gjetën edhe golin e tretë me anë të Feijao në minutën e 68, mirëpo sulmuesi nuk mundi të festonte pasi ishte në pozicion jashtë loje. Përtej të gjithë përpjekjeve të Dinamos, rezultati nuk ndryshoi dhe Kukësi mori një trepikësh të rëndësishëm për të ruajtur vendin e tretë, por edhe për t’iu afruar më shumë Laçit të vendit të dytë. Aktualisht, verilindorët kanë 42 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në pozita të vështira teksa renditet në vendin e tetë me 23 pikë.









































