Mbrëmja e djeshme dhuron emocione në Europa dhe Conference League, ku pati edhe shumë rezultate surprizuese si fitorja e Atalantës
Liga e Europës dhe Liga e Konferencës u kthyen mbrëmë në fushë, për të luajtur 1/8 e finales së aktiviteteve në fjalë. Në këtë raund kishte mbërritur edhe Spartaku i Moskës, që ishte në short me Leipzigun, por kjo ndeshje, për shkak të pezullimit të Rusisë nga UEFA si pasojë e agresionit ushtarak në Ukrainë, nuk u zhvillua. Ndërkohë, Uest Hemi kishte një dëshirë të madhe ta niste këtë fazë të Europa League me fitore, por përballë një skuadre që e ka fituar disa herë këtë aktivitet dhe është me staturë të fortë në gara të këtj niveli, si Sevilja, ishte e vështirë. Ndeshjen e fituan spanjollët me një gol të El Hadadi në minutën e 63-të. Ky gol mjaftoi për një fitore 1-0, fitore e ngushtë, por domethënëse e Seviljes. Barcelona zhgënjeu mbrëmë, pasi nuk ia doli të fitonte përballë Gallatasarait, një 0-0 i thatë, që e lë të hapur rrugën e kualifikimit. Në “play-off” të Ligës së Konferencës, mbrëmë pati duele shumë interesante, por spikati fitorja shumë e thellë e Fenordit në Beograd kundër Partizanit serb, me rezultatin 5-2. Kjo fitore i ndihmon holandezët për raundin tjetër. Ndërkohë, grekët e Paokut mundën ngushtë 1-0 Gentin belg. Padyshim, dueli më emocionues ishte ai mes Viteshes holandeze dhe Romës. Italianët fituan me vështirësi 1-0, me golin e Oliveirës në minutën e fundit të pjesës së parë. Duhet thënë se Roma e mbylli ndeshjen me 10 vetë, pasi në të 77’ doli me karton të kuq pikërisht autori i golit, Oliveira. Në këtë ndeshje luajti titular dhe bëri ndeshje të mirë mbrojtësi kuqezi i Shqipërisë, Marash Kumbulla. Një fitore spektakolare arriti edhe Slavia e Pragës, që mundi 4-1 Lask Linzin e Austrisë. Ndeshja që prodhoi më shumë gola ishte ajo mes PSV-së dhe Kopenhagenit, ku rrjetat i linin vendin njëra-tjetrës, nga 4 për secilën skuadër. Në tabelën e mëposhte jepen rezultatet e mbrëmjes së djeshme.






































