Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri me dije ditën e djeshme në një komunikim online se qeveria do të krijojë një bord kombëtar për administrimin e çmimit të karburantit dhe se brenda kësaj jave, Këshilli i Ministrave do të ketë gati skenarët e përballimit të krizës së çmimeve të energjisë, naftës dhe produkteve të tjera të konsumit. Dy vendimet e fundit, shefi i qeverisë i konfirmoi pasi iu kthye nga Emiratet e Bashkuara dhe në kohën kur u mbajt protesta e dytë qytetare kundër rritjes së çmimit të lëndëve djegëse. Rama duket se ka bërë prapakthehu pas protestave qytetare në dy ditët e fundit kundër kapërcimit të shpejtë të çmimeve të karburantit dhe lëndëve djegëse. Dy ditë më parë, ai theksoi se qeveria nuk mund të ndikojë në ndryshimin e çmimeve të produkteve pasi kjo është përgjegjësi e subjekteve private në tregun e lirë. Rama bëri me dije se vendi jonë duhet të përgatitet për valën e fortë të rritjes së çmimeve të energjisë dhe lëndëve djegëse si pasojë e luftës në Ukrainë.
Rama: Brenda javës gati skenarët e përballimit të shtrenjtimit të çmimeve
Nëpërmjet një komunikimi online me qytetarët në profilin e tij në Facebook, Rama ripërsëriti përgatitjen e një sërë skenarësh të përballimit dhe menaxhimit të situatës serioze të rritjes së çmimeve në Shqipëri. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos përçahen, por të ndërgjegjësohen me situatën e vështirë të shumëfishimit të çmimeve të produkteve të konsumit për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas Ramës, shtrenjtimi i rrufeshëm i çmimeve të naftës, karburanteve, miellit, etj është reflektuar dhe rajon duke përmendur Serbinë. “Pardje thashë që brenda kësaj jave do kemi skenarë të përballimit të kësaj situate të provokuar nga një luftë që nuk e di askush se sa mund të zgjasë. Dua t’ju kërkoj mos të jemi të ndarë te fakti se rritja e çmimit të energjisë, gazit, naftës e miellit nuk vjen sepse Shqipëria iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë, por vjen njësoj si për të gjitha vendet, edhe në Serbi njësoj po rriten çmimet”, tha Rama.
Rama: Bord kombëtar për karburantin, s’do lejojmë abuzime
Më tej, kryeministri Edi Rama tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një tjetër luftë, atë të rritjes së çmimeve të produkteve. Sipas tij, qeveria shqiptare do të nxjerrë një akt normativ për krijimin e një bordi kombëtar të administrimit të karburantit. Rama premtoi se do të ndalohet abuzimi me çmimet e lëndëve djegëse duke u ndërmarrë masa drastike. “Ky vend është në luftë, ka ardhur lufta në këtë vend, lufta ka ardhur me faturën e rritjes së çmimeve, ndaj do ta trajtojmë si në luftë, duke ndaluar spekulimet me rritjen e naftës, me një akt normativ, një bord kombëtar të administrimit të karburantit, ku do të flitet për të gjitha hapat. Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese”, bëri me dije për qytetarët shefi i qeverisë, Edi Rama.






































